Kryetari i VMRO-DMPNE-së Hristijan Mickoski deklaroi se arsyet pse ndryshimet e propozuara në Kushtetutë janë të papranueshme për ta janë të shumë anshme dhe mbi të gjitha, siç thotë ai, “të detyruara nga mungesa e ndonjë garancie se ky do të jetë lëshimi i fundit në rrugën drejt BE-së që Maqedonia duhet të bëjë, për shkak të mungesës së mekanizmave për mbrojtjen e çështjeve të identitetit, si dhe tema të tjera që mund të hapen me pranimin e ndryshimeve, veçanërisht në pjesën e punës aktive të Komitetit për marrëdhënie ndërmjet komuniteteve”.
“Duket se nëse prishet edhe kjo digë, nesër nuk do të ketë asgjë që ta ndalë fqinjin lindor, në bazë të shifrave imagjinare të kërkojë edhe kuota për punësimin e bullgarëve, përfaqësim adekuat dhe të drejtë dhe një sërë kërkesash të tjera që do të jenë produkt i politikës dhe jo nevojave reale”, tha Mickoski në deklaratën për Dojçe Vele në gjuhën maqedone.
Ai vlerëson se me Qeverinë aktuale shpërbërja e substratit politik dhe kombëtar të maqedonasve fillon nga brenda.
“Gabimi kryesor i kësaj Qeverie është që merr obligime që nuk mund t’i realizojë më vonë, më saktë ata nënshkruajnë dokumente pa arritur konsensus me opozitën dhe është krejt e natyrshme dhe e pritshme që ky proces të na çojë në një rrugë qorre. Edhe këtë nuk po e them për arsye të kota, sepse nuk na kanë konsultuar, por për arsye thelbësore dhe praktike: sepse konsultimi me VMRO-DPMNE-në për proceset mundej të ndikojë më mirë dhe më drejtë për Maqedoninë. Nuk mundet Bullgaria të hapë një proces për ndryshime kushtetuese në Maqedoni, ndërsa Qeveria e Maqedonisë të mos kërkojë nga Bullgaria – së paku tre nga gjithsej 14 aktgjykime të Gjykatës për të drejtat e njeriut në Strasburg që do të realizohen në favor të maqedonasve atje. Maqedonia nuk mund ta ndryshojë Kushtetutën pa asnjë ndihmë konkrete për Maqedoninë, as garanci për shenjat tona identike”, thekson lideri i VMRO-DPMNE-së Mickoski.
Mes vërejtjeve ai kujton gjithashtu se çdo qëllim i mirë i tyre për një zgjidhje të drejtë, u minua nga politikat e vogla në anën tjetër. Ai thotë se Qeveria pas mbledhjes së fundit të liderëve, në vend që të shqyrtojë seriozisht argumentet dhe propozimet e partisë opozitare, vendosën të bëjnë spina e të gënjejnë publikun, po ashtu tash e një vit ata janë duke e gënjyer publikun se thjesht vetëm se nuk kanë siguruar dy të tretat e shumicës për ndryshimet kushtetuese.
“Prandaj e vetmja zgjidhje e qëndrueshme në këtë moment janë zgjedhjet të cilat janë rrugëdalje nga kriza politike dhe ekonomike.Të mos humbet kohë dhe këtë vjeshtë të organizohen ato dhe të sjellin energji të reja për të lëvizur proceset e rëndësishme për qytetarët”, tha Mickoski në një deklaratë për Dojçe Vele.