TAKTIZIME PARTIAKE ZGJEDHORE
Partnerët e koalicionit qeveritar, VMRO DPMNE – VLEN planifikojnë paraqitje të përbashkët në zgjedhjet lokale të së vjeshtës.
Kështu ka deklaruar Zv/Kryeministri, Izet Mexhiti, gjatë një interviste për Kanal 5, duke potencuar se listat për këshilltarë do të jenë të veçanta, kurse planifikohet mbështetje e ndërsjelltë për kandidatët për Kryetar të Komunave, në rrethin e parë apo të dytë zgjedhor, varësisht marrëveshjes që do të arrihet.
IZET MEXHITI – VLEN
“Për këshilltarë do të shkojmë veç e veç, për shkak të sistemit proporcional, derisa për Kryetar të Komunave është sistem shumice dhe atje ku do të kemi ne kandidatë do të mbështeten nga VMRO-DPMNE ose anasjelltas. Tani, nëse do të jetë në rrethin e parë apo të dytë zgjedhor, do ta vlerësojmë. Qëllimi është që koalicioni qeveritar të jetë fituesi absolut i zgjedhjeve të ardhshme lokale.”
Edhe pse është shprehur optimist se VLEN do të ketë rezultate më të mira zgjedhore se Fronti Evropian, sipas Mexhitit, kërkesa e tyre për zgjedhje të jashtëzakonshme është e pabazë.
Sipas tij, BDI insiston për këtë skenar, vetëm që ta mbajë anëtarësinë partiake.
Pas zgjedhjeve lokale, Mexhiti paralajmëroi se do të realizohet edhe plani i paralajmëruar që koalicioni VLEN të bëhet një parti politike. /tvklan.mk