Gjatë fjalimit në shënimin e një viti të qeverisjes së re, zëvendëskryeministri Izet Mexhiti theksoi se raporti me Shqipërinë duhet të mbetet mbi përkatësitë politike dhe të mbështetet në interesin kombëtar. Ai u drejtua ambasadorit të Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, duke i bërë thirrje për unitet institucional dhe kombëtar.
“Pozicionet tona janë të përkohshme, si ato ekzekutive, ashtu edhe ato diplomatike, por Shqipëria dhe lidhjet tona me të janë të përhershme. Raporti i shtetit amë me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut duhet të jetë mbi të majtën e të djathtën, mbi subjektet, mbi partitë dhe mbi grupacionet. Duhet të jetë për shqiptarët.”