Në prag të votimit të së dielës në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale 2025, kryetari i Komunës së Çairit dhe njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, së bashku me kryetarin e partisë Alternativa, Zeqirija Ibrahimi, morën pjesë në një tubim me qytetarët e Studeniçanit, informon PressOnline.al
Dy liderët konfirmuan mbështetjen e plotë të koalicionit VLEN për kandidatin e pavarur Azem Sadiki, duke theksuar se bëhet fjalë për një bashkim vlerash, vizioni dhe përgjegjësie për zhvillimin e komunës.
“Ky është një bashkim i vlerave, i vizionit dhe i përgjegjësisë për ta çuar përpara zhvillimin e komunës me njerëz të ndershëm dhe punëtorë,” tha Izet Mexhiti, duke shtuar se qytetarët e Studeniçanit e kanë shprehur qartë dëshirën për ndryshim.
Atmosfera në tubim u vlerësua si e jashtëzakonshme, me pjesëmarrje të madhe të qytetarëve dhe aktivistëve të VLEN-it, të cilët shprehën mbështetjen e tyre për Azem Sadikin.
Mexhiti u bëri thirrje qytetarëve që të dalin në votime dhe të votojnë për Sadikin në raundin e dytë, duke theksuar se ai është “njeriu i vizionit dhe i punës konkrete”:
“Azem, nuk do të jesh vetëm. Në çdo hap, në çdo sfidë dhe në çdo fitore, do të na kesh krah për katër vitet e ardhshme.”
Tubimi i përbashkët i Izet Mexhitit dhe Zeqirija Ibrahimit në Studeniçan shihet si një shenjë e fortë e unitetit brenda koalicionit VLEN dhe e angazhimit të tij për të mbështetur kandidatë me reputacion dhe përvojë në shërbim të qytetarëve.(PressOnline.al)


