Kryetari i sapozgjedhur i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, në një intervistë për televizionin Alsat M, ka folur hapur për mundësinë që të marrë drejtimin e lëvizjes politike VLEN.
I pyetur nëse do të pranonte të bëhej lider i VLEN-it, Mexhiti u shpreh se nuk i shmanget përgjegjësive, por një vendim i tillë duhet të jetë rezultat i unitetit të plotë brenda koalicionit.
“Unë nuk i iki përgjegjësisë. Nëse njëzëri pajtohen të gjithë brenda VLEN-it, atëherë unë pranoj ta udhëheq si parti,” deklaroi Mexhiti.
Deklarata e tij vjen në një moment kur pas suksesit në zgjedhjet lokale, VLEN shihet si forca kryesore politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ndërsa brenda koalicionit tashmë po zhvillohen diskutime për strukturimin e ardhshëm të partisë dhe udhëheqjen politike.
Mexhiti, i cili shënoi fitore bindëse në Çair, shihet nga shumë analistë si një figurë konsensuale, me ndikim të gjerë politik dhe me potencial për të konsoliduar VLEN-in si forcë të qëndrueshme dhe moderne shqiptare në vend.