Zevendes kryeministri i Parë dhe Minister i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, udhëhoqi sot një takim koordinues me përfaqësues të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Shërbime Projektesh (UNOPS), si dhe ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë. Në takim u diskutuan aktivitetet aktuale të nxjerrjes dhe rezultatet e fundit nga studimet për sasinë e mbetjeve të mbetura me lindan në deponinë e vogël brenda kompleksit të ish-OHIS-it.
Qëllimi kryesor i diskutimeve ishte shqyrtimi dhe harmonizimi i zgjidhjeve dhe strategjive për përfundimin e remediimit të kësaj zone të kontaminuar.
Ministri Mexhiti theksoi se Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, bashkë me Qeverinë, mbeten të përkushtuar në zbatimin e zgjidhjeve të qëndrueshme dhe efektive, si dhe sigurimin e fondeve të nevojshme për tejkalimin e këtij problemi kompleks dhe afatgjatë mjedisor, që prek banorët e Shkupit dhe zonës përreth.
“Kjo sfidë nuk është vetëm përgjegjësi e ministrisë apo qeverisë, por e tërë shtetit. Ndërsa procesi i pastrimit ka filluar, ka ende shumë punë për të bërë për të hequr plotësisht mbetjet e rrezikshme historike,” tha Mexhiti. Ai theksoi se ndotja e trashëguar ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e qytetarëve dhe në cilësinë e ajrit, tokës dhe ujit.
Ministri nënvizoi se sanimi dhe rivitalizimi i plotë i vendndodhjes së ish-industrisë kimike OHIS është jo vetëm një detyrë teknike, por edhe një obligim moral dhe institucional ndaj brezave të sotëm dhe atyre që do të vijnë.
Procesi i pastrimit të deponisë së vogël me lindan është kompleks dhe kërkon investime të mëdha financiare, dhe po realizohet me mbështetjen e Fondit Mjedisor Shumëpartnerësh.