Vitin e kaluar ka filluar implementimi i projektit më të madh infrastrukturor – përmirësimi dhe rinovimi i sistemit të ujësjellësit dhe kanalizimeve në 80 komuna në vend. Gjithashtu, në Shkup po ndërtohet një nga projektet më të mëdha dhe më të rëndësishme të dekadës në këtë fushë, ai është stacioni për pastrimin e ujërave të ndotura, në proces është miratimi i Ligjit të ri për ajrin dhe janë siguruar gjashtë autobusë ekologjik, njoftoi sot në konferencën për shtyp ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinos, Izet Mexhiti, me rastin e njëvjetorit të formimit të Qeverisë.
Siç theksoi, në këtë periudhë është zhvilluar një qasje institucionale ndaj mjedisit jetësor, që nuk shihet më si një sektor dytësor, por si një fushë strategjike me ndikim të drejtëpërdrejtë në shëndetin publik, zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian të vendit.
Ai vuri në dukje se në mjedisin jetësor urban janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm në trajtimin e ujërave të ndotura.
Mexhiti tha gjithashtu se si pjesë e të njejtit drejtim strategjik, janë siguruar gjashtë autobusë ekologjikë dhe janë zëvendësuar sistemet e vjetra dhe joefikase të ngrohjes në Shkup, Manastir, Kumanovë dhe Tetovë, që kontribuon ndjeshëm në uljen e emetimeve të ndotësve. Ai njoftoi se në proces është blerja e 110 autobusëve elektrikë, të cilët do të shpërndahen në mjedise të ndryshme urbane.
Ai theksoi se segment i rëndësishëm është ndërtimi i qendrave rajonale për menaxhimin e mbeturinave, me mbështetje financiare në vlerë prej 55 milionë eurosh nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Këto qendra, siç theksoi, përfshijnë ndërtimin e deponive sanitare, stacioneve të transferimit, pikave të gjelbra dhe impianteve për kompostim, duke krijuar bazën për një sistem të integruar, të sigurt dhe të qëndrueshëm.
Mexhiti vuri në dukje se mbrojta e biodiversitetit është forcuar përmes zgjerimit të territorit të mbrojtur nga 11.5 në 13.9 për qind.
Ai theksoi se puna është përqëndruar në përshtatjen e akteve me direktivat për cilësinë e ajrit, menaxhimin e mbeturinave dhe emetimet industriale, si dhe në përgatitjen e Ligjit të ri pë planifikim hapësinor dhe Ligjit për emetimet industriale dhe aktivitetet klimatike.
Siç theksoi, gjatë vitit janë mbjellur më shumë se gjashtë mijë pemë në zonat urbane, janë shpallur zona të reja të mbrojtura dhe janë nënshkruar marrëveshje me komunat për zbatimin e projekteve brenda nënprogramit me vlerë prej 628 milionë denarë.