Izet Mexhiti, Kryetar i Komunës së Çairit dhe një nga liderët e koalicionit “VLEN”, ka thënë se në parim e mbështet protestën kundër Gjykatës Speciale, që do të mbahet më 13 dhjetor, dhe se si Kryetar i Çarit – qytet ku do të mbahet protesta – do të jap pëlqim për mbajtjen e saj.
Këto komente, Mexhiti i ka bërë në një prononcim për VOX Kosova, ku theksoi se protesta është e drejtë demokratike dhe se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është krenari kombëtare.
“Në parim po [e mbështes]. Protesta është e drejtë demokratike. Ne protestën e konsiderojmë vlerë demokratike edhe UÇK është krenari kombëtare e jona”, deklaroi Mexhiti për VOX-in.
I pyetur se a do të marrë pjesë personalisht në protestë, Mexhiti nuk u përgjigj drejtpërdrejtë, por theksoi se do të jap pëlqim për mbajtjen e saj.
“E shohim atë domethënë. Te sheshi në komunën ku jam unë [kryetar]. Do japim pëlqim për mbajtjen e protestës. Uroj që gjithçka të kalon mirë”, potencoi ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut.
Ndryshe, protesta kundër Gjykatës Speciale e në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së do të mbahet më 13 dhjetor, duke filluar nga ora 13:00, në sheshin Skënderbe në Shkup.
Kundërshtimi më i ashpër për protestën ka ardhur nga kryeministri maqedonas, Hristjan Mickoski. Ai e quajti protestën “lëvizje të gabuar” të Kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, dhe tha se pret që as koalicioni shqiptar VLEN — partnerët e tij në qeveri — nuk do ta mbështesin protestën.
“Ata vetëm po e vërtetojnë se do ta kenë shumë të vështirë që në të ardhmen të gjejnë partner të koalicionit. Unë nuk e mbështes këtë ide dhe jam i bindur se as VLEN nuk do ta mbështes”, tha Mickoski.
Pak orë pas deklaratës së tij, Ali Ahmeti e njoftoi zyrtarisht protestën përmes Facebook-ut, duke bërë thirrje për pjesëmarrje masive.
“Ashtu siç qëndruam përkrah luftëtarëve të UÇK-së në Prishtinë dhe Tiranë, ashtu do të qëndrojmë edhe në Shkup, krenarë, të vendosur dhe të palëkundur në mbrojtje të së vërtetës sonë. Më 13 dhjetor, në orën 13:00, të gjithë në Shkup!”, shkroi Ahmeti.
Protesta në Shkup është e pesta me radhë që po organizohet nga OVL-UÇK, pas atyre që u mbajtën në Prishtinë, Hagë, Tiranë dhe Strasburg, ku dhjetëra mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet protestuan kundër Gjykatës Speciale.
Që nga 5 nëntori i 2020-së, në qendrën e paraburgimit në Hagë ndodhen katër ish-krerë të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të akuzuar nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara lufte dhe kundër njerëzimit.


