Kandidati i koalicionit VLEN për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, së bashku me kandidatin për këshilltar komunal, Ariton Rama, prezantuan sot një nga prioritetet kryesore të programit zgjedhor – ndërtimin e Qendrës Rinore. Ky projekt synon t’u sigurojë të rinjve hapësirën e nevojshme për zhvillim, krijimtari dhe inovacion.
“Kam kënaqësinë të prezantoj një nga projektet më të rëndësishme dhe personale për mua – Qendrën Rinore të Çairit. Ky projekt reflekton vizionin tim për një Çair modern, përparimtar dhe të orientuar drejt së ardhmes. Çairi ka një potencial të jashtëzakonshëm rinor me shumë talente që meritojnë më shumë se fjalë – ata meritojnë mundësi, mbështetje dhe hapësirë për zhvillim. Ndërtimi i kësaj qendre do të jetë prioriteti im absolut si kryetar komune. Nuk është vetëm një objekt fizik, por një platformë ku të rinjtë do të mësojnë, krijojnë dhe do të ndërtojnë të ardhmen aktivisht,” tha Mexhiti.
Në një deklaratë për media, Ariton Rama përshkroi detajet e strukturës së Qendrës Rinore, e cila do të ketë katër nivele funksionale:
-
Bibliotekë dhe sallë ligjëratash për dije, hulumtim dhe aktivitete kulturore.
-
Qendër Digjitale me laborator inteligjence artificiale, trajnime falas në programim dhe shkrim-lexim digjital, si dhe hapësirë për start-up-e dhe mentorim rinor.
-
Akademi STEM, që do të ofrojë trajnime në teknologji, shkencë, art dhe matematikë.
-
Hapësirë për teatër, këshillim dhe aktivitete kreative, ku të rinjtë do të mund të shprehen lirshëm dhe pa barriera.
Mexhiti dhe Rama theksuan se me këtë projekt, Çairi do të bëhet qendra e inovacionit, arsimit dhe kreativitetit për të rinjtë. Ata premtojnë një vend ku brezi i ri do të ketë mundësinë të mësojë, të zhvillohet dhe të ndërtojë të ardhmen e tij.