Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, njëherësh kandidat për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, priti mbrëmë në Çarshinë e Vjetër të Shkupit kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani.
Të dy ndoqën së bashku shfaqjen teatrore “Një dorëzim” nga autori i njohur Martin McDonagh, e interpretuar nga trupa teatrore e Preshevës, me aktorët Gani Veseli, Valon Nuhiu, Egzona Salihu dhe Gani Ibishi.
Shfaqja u dha në Sheshin “Skënderbeu”, në kuadër të Javës Kulturore “Doku n’Çarshi”.
Pas shfaqjes, Mexhiti theksoi rëndësinë e kësaj mbrëmjeje kulturore.
“Ishte radha e Preshevës të flasë me gjuhën e artit, duke na dhuruar humor, mendim dhe një lojë të pasur skenike. Ishte kënaqësi e veçantë të përjetohet një natë ku arti i jep qytetit tonë një dimension të ri”, tha Mexhiti.
Ai ftoi qytetarët të marrin pjesë në aktivitetet e mbetura të festivalit, që jo vetëm pasurojnë jetën kulturore të Shkupit, por edhe rikthejnë vëmendjen te trashëgimia jonë e përbashkët dhe te vlerat e Çarshisë së Vjetër.
Java Kulturore “Doku n’Çarshi” përmbyllet të mërkurën, më 10 shtator, duke kurorëzuar një projekt që synon jo vetëm gjallërimin kulturor të qytetit, por edhe promovimin e diversitetit dhe historisë së Komunës së Çairit.