Qeveria ka miratuar sot Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, një hap që sipas përfaqësuesve politikë synon t’i japë fund praktikave të deritanishme të cilat, për vite me radhë, kanë krijuar padrejtësi dhe paqartësi.
Lidhur me këtë vendim ka reaguar Izet Mexhiti, një nga liderët e koalicionit VLEN, i cili e cilësoi miratimin e ligjit si fundin e një epoke të “zgjidhjeve gjysmake dhe mekanizmave të përkohshëm”.
Sipas tij, për një periudhë të gjatë në vend ka munguar një sistem i mirëfilltë, ndërsa janë përdorur zgjidhje të përkohshme që kanë prodhuar selektivitet dhe zhgënjim te qytetarët. Ai theksoi se ky proces është ndërmarrë për të sjellë ndryshim real dhe jo për të ruajtur gjendjen ekzistuese.
Mexhiti nënvizoi se ligji i ri vendos një kornizë të qartë ligjore, mekanizma kontrolli dhe përgjegjësie, duke e kthyer përfaqësimin e drejtë nga një çështje negocimi politik në një detyrim ligjor.
Ai e cilësoi këtë zhvillim si një hap përpara, duke shtuar se synimi është ndërtimi i një sistemi të drejtë, transparent dhe të qëndrueshëm, ku të drejtat e qytetarëve bazohen në ligj dhe jo në vullnet politik.
Sipas tij, për shqiptarët kjo nënkupton fundin e politikave që krijonin vetëm iluzion të përfaqësimit, ndërsa për shtetin do të thotë institucione më të forta dhe më funksionale.
Në përfundim, Mexhiti theksoi se nuk bëhet fjalë për zgjidhje të lehta, por për zgjidhje të qëndrueshme që, sipas tij, përfaqësojnë përgjegjësi dhe angazhim politik.
MARKETING


