Zv/kryeministri Izet Mexhiti deklaroi se Qeveria është stabile dhe e përkushtuar në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, gjatë përurimit të projektit të ujësjellësit në Tetovë.
I pyetur për largimin e Arben Taravarit nga Qeveria dhe akuzat që ky i fundit i drejtoi koalicionit VLEN, Mexhiti theksoi se për të, prioritet nuk ka qenë anëtarësia partiake, por interesat e qytetarëve.
“Më vjen keq që nuk e patën prioritet interesin e anëtarësisë së vet. E patën gojën plot me rrugën e Arben Xhaferit, por përfunduan në rrugën e Ali Ahmetit. I qoftë për hajër. Ne vazhdojmë si bllok i fuqishëm, si VLEN, të përkushtuar në realizimin e projekteve, dhe vetë puna do të flasë për ndryshimin dhe dallimin mes nesh dhe atyre,” u shpreh Mexhiti.
Në lidhje me kërkesën e BDI-së për zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me ato lokale dhe pretendimin se faktori shqiptar në qeveri përfaqësohet vetëm nga nëntë deputetë, Mexhiti u shpreh skeptik ndaj kësaj logjike politike, duke kujtuar se edhe një vit më parë BDI kishte premtuar pjesëmarrje në qeverinë e Mickoskit – gjë që nuk ndodhi.“BDI vazhdon të gënjejë elektoratin e vet. Loja nuk ka përfunduar, ajo sapo ka filluar. Nëse dikush mendoi se me largimin e Taravarit gjithçka mbaroi, do të shohim se si do të zhvillohet loja në terrenin e VLEN-it.”