Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, ka reaguar ndaj kritikave të profesorit universitar Mersim Maksuti, i cili shprehu pakënaqësi për versionin final të ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Maksuti, që ishte pjesë e grupit punues për hartimin e këtij ligji, theksoi se propozimet e tij nuk janë marrë parasysh.
Mexhiti nënvizoi se miratimi i këtij ligji është një hap i madh pas tri dekadash mungesë të një kornize të tillë ligjore, duke përmendur se edhe vetë Maksuti ka theksuar se për 22 vite sa ishte në pushtet, BDI nuk arriti të sjellë një ligj të tillë.
“Ne duhet ta potencojmë që 30 vite nuk ka pasur ligj, këtë e ka thënë edhe Mersim Maksuti që BDI e ka pasur rastin 22 vjet të sjellë ligj dhe nuk e ka sjellë. Ligj ideal nuk ka, edhe vërejtjet janë të mirëseardhura, sepse ligji ka kaluar në procedurë qeveritare, duhet të shkojë në Komisionin e Venecias, do të kthehet në kuvend dhe mund ta bëjë ligjin më të mirë”, deklaroi Mexhiti.
Në lidhje me shqetësimet për vonesa që mund të vijnë nga shqyrtimi në Komisionin e Venecias, ai tha se qytetarët nuk duhet të ndihen të ngarkuar me këto afate procedurale, pasi përfaqësimi është një kategori kushtetuese.