Një ekip ekspertësh nga Turqia me në krye Bajram Vardarin është angazhuar për të përpiluar Master planin zhvillimor të kandidatit për kryetar komune në Çair, Izet Mexhiti, aktualisht zëvendëskryeministër i parë dhe ministër për Mjedis Jetësor dhe Planifikim Hapësinor.
Përvoja e tyre në planifikimin urban, arkitekturë dhe menaxhim hapësinor pritet të garantojë një vizion modern dhe të qëndrueshëm për komunën.
“Në grupin e ekspertëve mes të tjerëve bëjnë pjesë edhe Nadir Dogan, planifikues urban i diplomuar në Universitetin ‘Gazi’, themelues i kompanisë ND İMAR A.Ş. dhe ekspert në hartimin e planeve hapësinore në shkallë të gjerë për qytetet si Stambolli, Bursa, Koxhaeli e Trabzoni, si dhe projekte të shumta për transformim urban. Pastaj dr. Mustafa Tutar, arkitekt i diplomuar në Universitetin teknik të Stambollit me master në Universitetin e Misurit në SHBA dhe doktoraturë në fushën e urbanizmit. Ai është pedagog universitar dhe themelues i kompanisë ‘Saydam Tasarım’ me mbi 800 projekte ndërkombëtare në fushën e dizajnit dhe vizualizimit arkitekturor”, theksohet në komunikatë.
Krahas tyre, në ekip bëjnë pjesë edhe ekspertë të tjerë nga Turqia, të cilët së bashku me ekspertë të urbanistikës e arkitektë lokal do të kontribuojnë në hartimin e një Master plani që synon ta pozicionojë Çairin si model të zhvillimit të qëndrueshëm në Shkup, theksohet në kumtesë.
Më herët këtë muaj në profilin e tij në Fejsbuk, zëvendëskryeministri Mexhiti publikoi emrin e njohur të arkitektit nga Turqia i cili do të jetë në rrethin e ngushtë të bashkëpunëtorëve i cili tashmë është i angazhuar në konceptin e ri për zhvillimin urban të Komunës së Çairit.
“Ngjashëm me Stambollin ose Bursën, sfidat edhe këtu në Çair janë të ngjashme. Ne kemi qenë edhe në Barcelonë dhe ai qytet është rinovuar. Ne do të zhvillojmë një Master plan për Çairin së bashku me qytetarët dhe gjithashtu do të zhvillojmë një plan implementimi. Pastaj do të zhvillojmë shtyllat e këtij Master plani”, thotë mes tjerash arkitekti Bajram Vardar në video- bisedën me Mexhitin.
Bajram Vardar ka qenë pjesë e ekipit të Rexhep Taip Erdoganit gjatë periudhës kur ai ishte kryetar i bashkisë së Stambollit dhe ka qenë urbanisti kryesor i qytetit të Bursës me çka drejtpërdrejt ka ndikuar në zhvillimin urban të këtyre dy qyteteve me një popullsi prej miliona banorësh.
Bajram Vardar është me origjinë shqiptar nga Shkupi.