Një nga liderët e VLEN-it dhe kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka komentuar rezultatet e anketës së fundit, sipas së cilës VLEN renditet si forca e parë politike te shqiptarët në vend.
Sipas Mexhitit, ky rezultat është tregues i qartë i mbështetjes në rritje të qytetarëve për modelin aktual të qeverisjes, të cilin ai e përshkroi si “me duar të pastra” dhe të fokusuar në luftën kundër korrupsionit.
Ai theksoi se besimi qytetar buron nga rezultatet konkrete në terren, duke përmendur rritjen e pensioneve, investimet në infrastrukturë, mbështetjen për stafin mjekësor, si dhe realizimin e projekteve të ndryshme zhvillimore, përfshirë ndërtimin e universiteteve dhe rrugëve.
Mexhiti e cilësoi sondazhin si “demantin më të mirë” ndaj, siç tha ai, fushatave të opozitës shqiptare dhe lajmeve të rreme, të cilat sipas tij synojnë të krijojnë pasiguri te qytetarët.
Në fund, ai theksoi se mbështetja për VLEN dëshmon se politikat e kësaj force janë në drejtimin e duhur, duke shtuar se qytetarët kërkojnë bashkim dhe konsolidim të saj në një subjekt të vetëm politik me zë të unifikuar.
“Bashkimi VLEN!”, përfundoi Mexhiti, duke falënderuar qytetarët për mbështetjen./Almakos


