Kryetari i Komunës së Çairit dhe një nga liderët e VLEN-it, Izet Mexhiti, me rastin e 5 Majit ka përcjellë një mesazh përkujtimor për dëshmorët, duke theksuar se kjo ditë mbetet simbol i kujtesës, respektit dhe mirënjohjes së thellë.
Mexhiti në statusin e tij në Facebook shkruan se emrat e dëshmorëve “ngrihen mbi kohën dhe bëhen pjesë e përjetësisë së këtij vendi”.
“Sot i kujtojmë me respekt e mirënjohje të thellë. Sakrifica e tyre nuk tretet në harresë; ajo qëndron e gdhendur në historinë tonë, si një dritë që nuk shuhet”, ka shkruar Mexhiti.
Ai ka theksuar se dëshmorët lanë pas një amanet të qartë: që brezat e sotëm të ecin përpara, të punojnë çdo ditë dhe të mbajnë gjallë idealin për të cilin ata ranë.
“Kjo përgjegjësi është mbi ne. Dhe ne do ta vazhdojmë rrugën e tyre. Me përkushtim. Me këmbëngulje. Për të ardhmen tonë”, ka përfunduar Mexhiti.


