Ishte e pashmangshme që në mbështetje të Shtëpisë Botuese Logos-A, në momente kur kjo po sulmohet nga pushteti qendrorë të dalë edhe profesori i njohur universitar, Metin Izeti.
Ai në një koment për Almakos ka thënë se Logos-A shihet si motor i idesë finsike në trojet shqiptare, dhe është sjellje e ulët që një shkollë e idesë fisnike dhe humane të sulmohet me mjete të psikologjisë së shkatërrimit të vlerave vetëm për kënaqjen e egove individuale ose grupore.
“Brenda 25 viteve të veprimit në skenën intelektuale shqiptare shtëpia botuese Llogos-a ka krijuar një identitet të veçantë kulturor dhe artistik që dallohet me risi dhe shtrim të rrugës për ardhmëri më të mirë në shumë sfera të mendimit dhe analizës së mirrëfilltë të kulturës dhe identitetit shqiptar, që pa dyshim, me kalimin e kohës janë shndërruar në standarde, të vetë shtëpisë botuese, por edhe më gjerë. Motori i idesë fisnike, që ne sot e gëzojmë si frut që është pjekur ose vazhdon të piqet në kuadër të shtëpisë botuese Logos-A e ka shndërruar atë në fole dhe derë të hapur për të dashuruarit në librin. Më pas rreth asaj foleje janë tubuar intelektualë dhe dashamirë të librit që gjithashtu kanë patur merita për ndërtimin e identitetit pozitiv dhe të sukseshëm të kësaj çerdheje të librit.
Dëshira esenciale e filozofisë botuese të shtëpisë botuese Llogos-a ka qenë dhe është t’ia përcjellë dhe ta informojë njeriun e nënqiellit tonë për frymën që buron nga thellësia e ekzistencës dhe për pasqyrimin e asaj fryme në përditshmërine historike, të largët dhe të afërme, si dhe në ndërtimin e një ardhmërie njerëzore.
Shtëpia botuese Llogos-a është paraqitur në dekadën e fundit të një shekulli vërshues dhe kontroverz, përplot me kriza dhe reçeta të gabuara për zgjidhjen e tyre. Si pasojë, interesimin e vet e ka orientuar drejt autorëve dhe titujve që e diskutojnë krizën e bashkëkohësisë, kundërshtimet e saj, ndërveprimet e lëvizjeve të ndryshme ideore dhe shpirtërore, thatësinë dhe paskrupullinë e ideologjive, vetminë e njeriut dhe shkaqet e rrënimit të vlerave kryesore të njeriut.Por jo vetëm kjo, titujt dhe autorët e zgjedhur në botimet e shtëpisë botues Llogos-a, paraqesin edhe përpëlitjet postmoderne dhe aktuale për shpëtim nga kjo katrahurë shpirtërore dhe reflektimet e saj në përditshmërinë e njeriut të sotshëm që është shndërruar në bezdi të pakuptimtë.
Vitet e fundit të shekullit të XX, gjithashtu, janë vite kur në botë janë përjetuar thyerje dhe ndryshime rrënjësore shoqërore dhe politike. Edhe në këtë përmasë Llogos-a, në kuadër të edicioneve të veta, është përpjekur të krijojë një lektyrë për intelektualin modern të liruar prej prangave të pozitivizmit dhe materializmit historik, të vendosë shtylla të sigurta për individin me mendim të lirë i cili në trajtë konstruktive përballet me peripetitë e krizës ekonomike dhe rrënimin e vlerave.
Është shumë jonjerëzore, inferiore dhe sjellje e ulët që një shkollë e idesë fisnike dhe humane të sulmohet me mjete të psikologjisë së shkatërrimit të vlerave vetëm për kënaqjen e egove individuale ose grupore”, ka thënë për Almakos, profesori universitar, Metin Izeti.