Aktivisti qytetar nga Kumanova, Mesut Bajrami, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit politike në këtë komunë, duke vënë në pikëpyetje mënyrën se si, sipas tij, humbësit e zgjedhjeve lokale janë bërë pjesë e pushtetit.
Në një reagim publik, Bajrami shpreh habinë se si subjektet që kanë humbur zgjedhjet lokale me rreth 2 mijë vota diferencë kanë arritur të përfshihen në qeverisjen lokale, duke u bërë bashkë edhe me përfaqësuesit serbë. Ai thekson se, pavarësisht faktit që komuniteti serb përbën rreth 5 për qind të popullsisë në Kumanovë, ata kanë marrë pushtet të barabartë, ndërsa shqiptarët, sipas tij, janë margjinalizuar.
Sipas Bajramit, shqiptarët aktualisht vazhdojnë të jenë pjesë e pushtetit vetëm përmes një drejtorie që ai e cilëson si të parëndësishme për interesat e tyre, siç është pazari. Ai kujton se më herët shqiptarët kishin tri drejtori dhe se, në bazë të peshës politike, do të duhej të kishin edhe postin e kryetarit të këshillit komunal, ashtu siç e kanë maqedonasit në Strugë.
“Po humbet pesha politike e shqiptarëve në Kumanovë, duke u barazuar me komunitete shumë më të vogla,” thekson Bajrami, duke shtuar se kjo dëmton drejtpërdrejt interesat e shqiptarëve në komunë.
Në fund të reagimit të tij, ai paralajmëron se, pavarësisht interesave personale që, sipas tij, po udhëheqin këto vendime, shqiptarët do të reagojnë në zgjedhjet e ardhshme. “Jam i sigurt se shqiptarët do t’ju ndëshkojnë rëndë në zgjedhjet e ardhshme,” përfundon Bajrami.


