Shkruan: Afrimi Gashi
….desha që kjo letë të jetë një porosi edhe për të gjithë ata mësues të tjerë të cilët, të cilët e di se punojnë të kushte të vështira dhe me paga minimale dhe vazhdimisht pyesin veten “A ia vlen e tërë kjo punë?”. Unë i kuptoj se ata me asgjë nuk janë të motivuar që t’u buzëqeshin, t’i përdhelin ose t’u pëshpëritin nxënësve të tyre fjalë të mira. Por, mos harroni se një ditë….
E dashura mësuese,
Të hënën në vendin tonë u shënua 7 marsi – Dita e Mësuesit. Prandaj edhe unë desha që me këtë copë letre të shfrytëzoj rastin të të uroj ty dhe gjithë mësuesve të tjerë shqiptarë këtë ditë.
Kjo letër që po ta shkruaj ty më shtyu të kthehem në fëmijërinë time kur unë i bëra hapat e parë në bankat shkollore. Atëherë për herë të parë të takova ty dhe të desha shumë, ti u bëre për mua autoriteti më i madh. Vetëm atë që e thoje ti për mua ishte e vërteta; ndryshe nuk mund të ishte. Më kujtohet kur fillova t’i mësoj shkronjat e alfabetit. Atëherë kisha shumë vështirësi, nuk i bëja dot vijat e drejta, më shkonte dora shtrembër, por ti kishe aq shumë durim që çdoherë të më përmirësosh duke më buzëqeshur. Ajo buzëqeshje për mua ishte një dritë shprese, një shtytje që të mos ndalem aty, por të vazhdoj t’i mësoj shkronjat derisa të më shkon dora drejt e derisa ta mësoj kuptimin e tyre të plotë. Ajo ishte koha kur nëpërmjet buzëqeshjes tënde mësova se ç’është shkronja dhe çfarë kuptimi ka ajo. Unë atëherë nuk e kuptoja fare se ç’domethënie kishte buzeqeshja jote, nuk mund ta definoja e as nuk dija ta shpjegoja, por gjithsesi e ndjeja thellë në vetvete.
Pasi mësova shkronjat, kaluam në fazën tjetër – ajo ishte faza e ushtrimit të bukurshkrimit. Nëse të kujtohet, edhe këtu kisha vështirësi, nuk arrija dot t’i derdh shkronjat në formën në të cilën i kisha mësuar dhe i kisha ngulitur në memorien time, sepse kur i pasqyroja në letër më dilnin gjithmonë ndryshe nga ajo që i kisha formësuar në trurin tim. E kuptoja se nuk të pëlqente shkrimi im, sepse as mua nuk më pëlqente dhe në ato çaste më kaplonte një lloj frike, por ty jo – ti vazhdoje me buzëqeshjen tënde. Më përkdhelje njëherë flokët, ndërsa pastaj e kisha shumë më lehtë të përvetësoj artin e të shkruarit bukur.
Erdhi koha të futemi në botën e numrave. Çka mund të dijë një fëmijë shtatëvjeçarë se ç’do të thotë një numër? Ti pa ndërprerë i shkruaje ato në dërrasë të zezë dhe i shqiptoje me zë që ne më lehtë t’i kuptojmë dhe, pas disa orësh ushtrim, unë fillova të kuptoj edhe atë botë. U mësova të numëroj dhe ta kuptoj logjikën e botës së numrave. Pastaj e mësova edhe mbledhjen, zbritjen, shumëzimin e pjesëtimin. Kjo ishte koha kur e mësova formulën e famshme “një edhe një bëjnë dy”, formulë e cila të përcjellë tërë jetën deri sa të mbash për shok sinqeritetin, ndërsa kur ndahesh prej tij, athëherë humb edhe kuptimi i saj, atëherë – një dhe një nuk bëjnë më dy. Siç i e kanë përzier këtë matematikë disa njerëz publikë të kohës sonë.
Nga bota e shkronjave dhe numrave dalëngadalë u futëm në botën e tingujve dhe të ngjyrave. Ishte ajo koha kur fillova të kuptoj nga muzika e nga vizatimi. Atëherë nuk isha në dijeni se çka është ajo që po mësoja, por pas disa viteve, kur fillova të merrem me muzikë e me art, e kuptova se pikërisht ti ishe e para që ma tregove rrugën për të hyrë në botën e artit. Ti më fute në rrugëtimin e kreativitetit dhe në botën e imagjinatës e të bukurës. Pastaj, nga dita në ditë e nga viti në vit unë çdoherë mësoja nga një gjë, kështu që kur erdhi koha e mbarimit të klasës së katërt.Më kujtohet se atëherë fillova u ndjeva shumë keq. Më kujtohet si sot, se isha shumë i mërzitur dhe nuk doja ta ndahesha prej botës që ti e kishe krijuar te unë. Ajo botë ishte aq e bukur dhe e veçantë, saqë asnjëherë më nuk u përsërit në jetën time. Ishte botë në cilin ishim vetëm unë dhe ti, ku ti vazhdimisht shkrije diturinë tënde te unë, ndërsa unë edhe pse nuk isha i vetëdijshëm për këtë, e ndjeja fort atë proces metafizik.
Më pas, si edhe çdo nxënës tjetër, vazhdova shkollimin në klasët më të larta ku kisha më shumë arsimtarë e profesorë. Jam shumë i lumtur dhe e konsideroj veten me shumë fat, sepse kam pasur rastin të mësoj nga arsimtarë e profesorë të mrekullueshëm, të cilët kanë qenë me shumë ndikim në jetën time. Prej tyre kam mësuar shumëçka dhe jam shumë falenderues, por ti, mësuesja ime e dashur, ishe dhe mbete e veçantë – MË E VEÇANTA. Kur fillova të mendoj sa gjëra më ke mësuar, më kapi sikleti se shumë prej tyre nuk më kujtoheshin. Ajo që assesi nuk më largohej nga mendja ishin: buzëqeshja yte, përkëdhelja e flokëve të mia dhe fjalët e mira që m’i pëshpërisje në vesh. Atëherë e kuptova magjinë – se shkronjat, numrat, vizatimet e ngjyrat gjithsesi se mund t’i kisha mësuar kurdoherë, por ti, e dashura mësuese, m’i hape portat e botëve të kreativitetit, të artit, të të kuptuarit e të botës së emocioneve. Atëherë e kuptova se një buzëqeshje e një mësuesi vlen më shumë se të gjitha romanet e Shekspirit, se një përkëdhelje e një mësuese është më kreative se Leonardo Da Vinçi dhe se një fjalë e mirë e pëshpëritur në veshin e një fëmije është më e bukur se i tërë kompleksi i Taxh Mahalit.
Kur i vura ndër mend të gjitha këto, desha që kjo letë të jetë një porosi edhe për të gjithë ata mësues të tjerë të cilët, të cilët e di se punojnë të kushte të vështira dhe me paga minimale dhe vazhdimisht pyesin veten “A ia vlen e tërë kjo punë?”. Unë i kuptoj se ata me asgjë nuk janë të motivuar që t’u buzëqeshin, t’i përdhelin ose t’u pëshpëritin nxënësve të tyre fjalë të mira. Por, mos harroni se një ditë kur do të plakeni e të jeni në pension, kur të jeni të rrethuar nga djemtë, vajzat, nipërit e mbesat tuaja, e kur të shihni në gazetën ditore një artikull në të cilën një nxënës i juaj pas 20-30 viteve ju drejtohet me fjalët “I/E dashuri/a mësues/e…”,atëherë me siguri do të thoni ”Vërtet ia paska vlejtur”.
Me shumë dashuri për mësuesen time
– Drandofile Kaliqi
Shkrimi për herë të parë është botuar më vitin 2011