Hamdi Nuhiju
Mësuese është nëna e cila duke mos ditur gjuhën e shkencës dhe mimikave, me nina-nana ta ofron gjumin dhe t`i lehtëson plagët e mosrehatisë trupore. E di kur duhet të vishesh hollë dhe të mëson elementet bazë për jetë. Nëna është mësuese edhe kur nis shkolla dhe t`i fillon t`i mësosh shkronjat! Vijat djathtas dhe majtas, numrat, format gjeometrike i mëson nga nëna.
Mësues nuk është një matrapaz që kruan hundët me buletinin e lojërave të fatit, ku i rrethon ndeshjet e fatit dhe porosit nxënësit e tij t`i paguajnë në bastoren më të afërt. Nuk mund të jetë mësues ai matrapaz që mban lugën e makiatos në gojë dhe që shkurton orën për shkak se nuk di se çfarë të ligjëroj.
Mësues është fjalë e shenjtë hyjnore. Ai që merr këtë epitet, në vetvete duhet ta kujtoj sakrificën e nënës për fëmijën! Nuk ka rëndësi fëmijët e kujt janë, e që vijnë nga cila do shtresë sociale, ata duhet t`i trajtosh njëjtë siç i trajton nëna fëmijët!
Mësues është ai person që nuk vjedh nxënësit në ekskurzione e që brengoset dhe merr përgjegjësi për to prej momentit të nisjes e deri në momentin e kthimit në vend. Mësuesi nuk guxon të kërkoj nga nxënësit t`ia paguajnë mbushjen e dëftesave me kompjuter dhe në atë mënyrë ta përlyej misionin e mësuesisë.
Mësues është fjalë e shenjtë. Jo çdo mësues e meriton atë epitet. Mësues nuk është ai matrapaz që kërkon favore seksuale në këmbim të notës. Mësuesi nuk e pinë kafenë në vendet ku e pinë edhe nxënësit, vishet pastër dhe është i sjellshëm me secilin.
Mësuesi nuk shpreson asnjëherë në dhuratat e nxënësve e as që guxon t`i kërkoj! Dhurata më e madhe për një mësues është një nxënës i suksesshëm.
Mësuesi, para se të nis ta zbatoj profesionin e mësuesisë duhet t`ia parashtroj pyetje vetvetes:
– Si do të ndjehej po qe se fëmija i tij do të kishte për mësues një matrapaz si ti?
Kumanovë, 07.03.2022