Mësimi në vitin e ri shkollor 2022/2023 do të realizohet në shkolla të hapura dhe pa protokolle anti-kovid dhe obligim për mbajtjen e maskave mbrojtëse.
“Tani për tani nuk parashihen masa parandaluese shtesë, përveç atyre që janë aktuale dhe në fuqi – për spitalet, transportin publik, farmacitë dhe për azilet për pleq. Konkretisht për shkollat, tani për tani nuk ka”, deklaroi dr. Zllate Mehmedoviq, zëdhënës i Komisionit për Sëmundje Infektuese.
Viti i ri shkollos pasnesër do të fillojë për rreth 255 mijë filloristë dhe nxënës të shkollave të mesme. Për nxënësit e klasës së dytë dhe të pestë ka programe të reja mësimore sipas Konceptit për arsim fillor që nga viti i kaluar zhvillohet me etapa.
Për këta nxënës, si edhe për ata nga klasa e parë dhe e katërt, tekstet shkollore do të vonohen për shkak të ndryshimit të programeve mësimore që janë në faza të ndryshme të miratimit.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës kumtoi se që të ruhet vazhdimësia, së bashku me Byronë për Zhvillimin e Arsimit ka përgatitur materiale përkatëse mësimore për këta nxënës prej të cilave do të mësojnë që nga fillimi i vitit shkollor.
Për klasat e tjera, për të cilat vlejnë programet e vjetra mësimore, si edhe për arsimin e mesëm, tekstet shkollore do të dorëzohen në kohë. Tekstet shkollore nga klasa e katërt e sipër përveç në formë të shtypur do të jenë në dispozicion edhe në formë digjitale në portalin e-ucebnici.mon.gov.mk.