Shkruan Enis Murtezani
Besoj se një nga mësimet më të dobishme në jetë është të njohësh dhe zgjedhësh rrugën e mesme, e cila shpesh herë është edhe relative. D.m.th asi të mesme që jo gjithnjë ka kuptimin e gjysmës së ndonjë gjëje (50%), por që shpeshherë është më shumë se aq e shumë herë më pak. Pra, të njohësh dhe zgjedhësh pikërisht atë të mesme që ka këtë kuptim: aq sa duhet, as më shumë e as më pak; fiks ashtu si duhet. Pra, tamam.
Për shembull: derisa të sulmon gjarpëri, e mesme është që atë mos ta godasësh në mes, por në kokë. Ndërsa gjatë lojës së pikados, tablonë godite fiks në mes, pasi që ajo aty e ka të mesmen. Fjala bie, edhe feja islame thërret në të mesmen, me theks të veçantë ndaj mesatares që duhet të zgjedhin besimtarët gjatë praktikimit të rregullave të saj. Në këtë vijë qëndron edhe teoria aristoteliane, në të cilën Aristoteli të mesmen e cilëson edhe si të artë, si dhe pos tjerave thotë: “Guximi është virtyt, por nëse merret me tepri do të shfaqet si i pamatur, ndërsa në mangësi, si frikacak.” – Sidoqoftë, në politik më shumë raste hasim kur duhet të reagojmë si te shembulli i parë, por që sigurisht se pa ndonjë veprim ekstrem, e vetëm me veprime demokratike politikanët të cilët shprehi e kanë të vjedhin, qofshin edhe ish-komandanta e trima lufte, duhet t’i godasësh në kokë, pasi që ata sikur gjarpëri, aty e kanë të mesmen.
KUJDES! Zgjedhja e rrugës së mesme është e vështirë, pasi që shpeshherë paraqitet si e paqartë, por që edhe pasi të zgjedhet si vendim i saktë, ajo ka një të “metë”, zgjedhja e saj bën që ju të luftoheni ashpër – nga dy ekstremet.