Një iniciativë e re, e cila do të përshpejtojë integrimin e vendeve kandidate nga Ballkani Perëndimor në BE, do të lançohet nga kancelari gjerman Friedrich Merz dhe presidenti francez Emmanuel Macron në Samitin BE – Ballkani Perëndimor dhe Moldavia në Tivat.
Në një dokument të përbashkët (position paper), qeveritë e Berlinit dhe Parisit angazhohen për hapat e parë në integrim edhe para anëtarësimit të plotë, me qëllim që të përshpejtohet procesi i integrimit.
Sipas dokumentit, përmbushja e disa kritereve të pranimit do të shpërblehet me qasje të privilegjuar në tregun e përbashkët evropian dhe me mundësinë për të dërguar vëzhgues në institucionet evropiane.
„Politika e zgjerimit ka nevojë për një impuls të ri“, thuhet në dokumentin në të cilin Agjencia Gjermane e Lajmeve (DPA) pati qasje.
Është parashikuar që Merz në Samitin e Tivatit të zhvillojë takime bilaterale me kryeministrin e Maqedonisë, Hristijan Mickoski, me presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviq, si dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në këto bisedime, një theks i veçantë do t’i kushtohet perspektivës së gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’u anëtarësuar në BE. Konkretisht, priten propozimet e para për integrimin e tyre më të shpejtë në institucionet dhe politikat e BE-së, madje edhe para anëtarësimit të tyre të plotë.
Merz ka deklaruar më herët se nevojiten ide të reja dhe fleksibilitet në procesin e zgjerimit të BE-së dhe propozoi një integrim gradual të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe një anëtarësim të asociuar dhe të kushtëzuar për Ukrainën.


