
Alsat 2019-10-17T15:58:52+02:00
“Shanset për arritjen e një vendimi të përbashkët në samitin e BE-së për dhënuen e datës për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë nuk janë të mira”, ka deklaruar në orët e paraditës kancelarja gjermane Angela Merkel. Gjatë fjalimit në Bundestag, para udhëtimit për në Bruksel, Merkel ka deklaruar; “ne kemi përgjegjësi ndaj ketyre vendeve dhe mendoj se kemi llogari që këtyre dy vendeve t’u japim perspektivë evropiane”.
Breksiti dhe zgjerimi janë temat në rendin e ditës të Samitit të sotëm të liderëve dhe shefave të shteteve të Bashkimit Evropiannë Bruksel. Çështja e Breksitit konsiderohet si e mbyllur dhe kjo pikë mund të marrë më pak kohë tani që është arritur një marrëveshje paraprake mes Brukselit dhe Londrës. Pika ku anëtaret ngecin dhe ku thyhet edhe i ashtuquajturi “uniteti franko-gjerman” është miratimi i datës për fillimin e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërisë. Pas konferencës së përbashkët për media të një dite më parë mes Presidentit Emanuel Makron dhe Kancelares gjermane Angela Merkel, duket se as presioni i Berlinit nuk ka ndikuar në ndryshimin e pozitës së Parisit. Makron tha se nuk do të ndalojë së përsërituri se nuk është arritur akoma në atë pikë të marrëveshjes.
E përshëndes kurajon dhe reformat që ka ndërmarrë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Do flisja për një sinjal pozitiv, por Ballkani është tejet strategjik për Evropën. Duhet ta reformojmë procedurën. Unë po e shpall vizionin tim gjeopolitik para kancelares- tha Emanuel Makron, President i Francës.
Presidenti francez e vlerësoi arritjen e Marrëveshjes së Prespës por sa i takon Shqipërisë, i theksoi si problematike dhe të çuditshme rastet e mijëra azilkërkuesve shqiptar në Francë.
Mediat në Francë i kanë kushtuar rëndësi kundërshtimit të Parisit për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë duke shprehur habinë e tyre për pozitën e Presidentit Makron. Gazeta “Le Monde” thekson se diplomatët maqedonas dhe ata shqiptarë në plan të parë vendosin rrezikun e destabilizimit të Evropës nëse vonohet fillimi i negociatave. Aty shkruan se Franca është e vetme në Bruksel, sa i takon kësaj pike. “France inter”, radio kombëtare, e kritikon fuqishëm pozitën e qeverisë franceze të cilën e konsideron si të kontestueshme dhe që e vendos Ballkanin të ekspozuar ndaj ndikimeve të vendeve tjera si Kinës, Rusisë dhe Turqisë.
Në Bruksel qëndrojnë edhe dy kryeministrat Zoran Zaev dhe Edi Rama. Kryeministri shqiptar sot takoi komisionerin për zgjerim Johanes Han dhe shefen e diplomacisë së BE-së Federika Mogerini. Ndërkaq, kryeministri Zaev, pasi takimet me Hanin dhe Mogerinin i zhvilloi një ditë më parë, sot merr pjesë në mbledhjen e partive socialiste të Evropës.
Fatlume Dervishi
Loading…


