Deputeti i Rilindjes Demokratike Kombëtare, Vesel Memedi, sot ka mohuar zërat se ka braktisur Aleancën për Shqiptarët dhe i është bashkuar grupit parlamentar të Bashkimit Demokratik për Integrim. Memedi, në konferencën e sotme për shtyp ka sqaruar se vazhdon t’i jetë besnik bashkimit opozitar nën ombrellën e Aleancës për Shqiptarët, por ka kritikuar ashpër veprimet politike të Zijadin Selës.
“I them zotëri Selës që dështimin e tij politik të mos e drejtojë tek unë, por le ta kërkojë brenda bashkëpunëtorëve të vet që kanë bërë pazare nëntokësore. Unë jam këtu për të përfaqësuar interesat e kombit shqiptarë dhe interesat e të gjithë qytetarëve që jetojnë në Maqedoni dhe nuk ka bir nëne që të mund të më devijojë nga ky qëllim”, ka deklaruar Memedi.
Ai thotë se “nuk ka bir nëne” që mund t’ia ndryshojë orientimin për të cilin është angazhuar në politikë,të përfaqësojë interesin shqiptarë dhe të gjithë qytetarëve të Maqedoni.
Sipas tij, pavarësish nëse RDK do jetë e përfaqësuar në qeveri ai do të vazhdojnë ta përkrahin qeverinë e kryeministrit Zaev.
“Nëse do të ketë reformatim të qeverisë dhe RDK dhe Vesel Memedi nuk do të jenë pjesë e së njejtës asnjëherë nuk do të më vijë në mendje që mos e votoj atë qeveri që është reformatore”- tha Vesel Memedi.”
Memedi partinë e Selës e quan “LR-PDSH” duke shtuar se përvetësimi i Aleancës për Shqiptarët është bërë në mënyrë klandestine.
Nga partia e Zijadin Selës, nuk kanë dashur të komentojnë deklarata e Vesel Memedi duke shtuar se ai është i parëndësishëm për to.
“Nuk ja vlen të merremi me Vesel Memedin, është i parëndësishëm. Votuesit shqiptarë në zgjedhjet lokale folën për peshën e tij”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.
Përgatiti: Evi Shkopi
Almakos.com