Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka zhvilluar një takim me kryetarin e Organizatës Shqiptaro-Amerikane për Maqedoninë e Veriut, Bruno Ceka, ku në qendër të bisedës kanë qenë zhvillimet aktuale politike, vizita e kongresmenit amerikan Keith Self, si dhe bashkëpunimi për çështje me interes për shqiptarët në vend.
Përmes një njoftimi publik, ambasadori Meidani bëri të ditur se gjatë drekës miqësore me Cekën u diskutua për vizitën e kongresmenit Keith Self, kryetar i Nënkomitetit për Evropën në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, si dhe për aktivitetet e fundit të Organizatës Shqiptaro-Amerikane.
“Në fokus të bisedës ishte vizita e kongresmenit Keith Self, Kryetar i Nënkomitetit për Evropën në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, si dhe aktivitetet e fundit të organizatës. Diskutuam zhvillimet aktuale, sfidat e momentit, rëndësinë e avokimit institucional dhe mundësitë për koordinim në nisma me interes për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut”, ka shkruar Meidani.
Ambasadori shqiptar theksoi se gjatë takimit është vënë theksi te rëndësia e ruajtjes dhe zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, duke e cilësuar atë si bazë të bashkëjetesës ndëretnike dhe të karakterit multietnik të shtetit.
“Theksuam rëndësinë themelore të ruajtjes së frymës dhe zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, si gurthemel i bashkëjetesës ndëretnike dhe i karakterit multietnik të Maqedonisë së Veriut. Në të njëjtën frymë, nënvizova domosdoshmërinë e ruajtjes, respektimit dhe avancimit të të gjitha të drejtave dhe arritjeve të garantuara nga Kushtetuta dhe legjislacioni i vendit, në përputhje me parimet demokratike dhe standardet evropiane”, theksoi ai.
Në deklaratën e tij, Meidani veçoi edhe rëndësinë e zbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, duke e lidhur atë drejtpërdrejt me procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.
“Njëkohësisht, dakorduam se respektimi dhe zbatimi konsekuent i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve nuk është vetëm çështje e rendit kushtetues dhe e barazisë, por edhe një shtyllë kyçe e rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut, si dëshmi e përkushtimit ndaj standardeve demokratike, gjithëpërfshirjes dhe vlerave mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian”, u shpreh ambasadori.
Ai vlerësoi gjithashtu kontributin e diasporës shqiptare, veçanërisht të komunitetit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për çështjen kombëtare dhe forcimin e lidhjeve ndërshqiptare.
“Vlerësova lart kontributin e jashtëzakonshëm që diaspora shqiptare, veçanërisht ajo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka dhënë ndër vite për çështjen kombëtare dhe për forcimin e lidhjeve mes shqiptarëve kudo që ndodhen”, theksoi Meidani.
Në fund, ambasadori bëri të ditur se me kryetarin e Organizatës Shqiptaro-Amerikane janë dakorduar të vazhdojnë komunikimin dhe koordinimin për iniciativa të përbashkëta.
“U dakorduam të mbetemi në komunikim të vazhdueshëm dhe të bashkërendojmë përpjekjet tona për çështje me interes për studentët, diasporën dhe shqiptarët në Maqedoninë e Veriut”, përfundoi ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani.


