Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka pritur sot në ambientet e Ambasadës futbollistin shqiptar me origjinë nga Maqedonia e Veriut, Nedim Bajrami.
Në një postim në rrjetet sociale, ambasadori Meidani e përshkroi Bajramin si një “djalë shembullor, brenda dhe jashtë fushës”, duke theksuar jo vetëm talentin e tij sportiv, por edhe karakterin dhe përkushtimin që e bëjnë një frymëzim për të gjithë shqiptarët.
“Me fanellën kuqezi në zemër, Nedim është simbol i përkushtimit, karakterit dhe sportivitetit që na bën të gjithëve krenarë”, shkroi ambasadori Meidani, duke shtuar me krenari: “Jo gjithmonë na vlerësojnë si më të mirët, por më të mirë se ne… nuk ka.”
Në përfundim të postimit, ambasadori i shprehu respektin dhe mbështetjen e tij të plotë për Bajramin, duke e quajtur “kampion” dhe “frymëzim për të rinjtë shqiptarë kudo që ndodhen”.