Raporti i acaruar mes kreut të Tetovës, Bilall Kasamit, dhe ambasadorit të Shqipërisë në Maqedoni, Denion Meidani, duket se është qetësuar. Pas incidentit me diplomatët e huaj, Kasami ka kuptuar gabimin e tij dhe së fundmi ka nisur takime të rregullta me ambasadorë të vendeve të ndryshme në vend.
Së fundi, Kasami ka qëndruar për drekë pune me ambasadorin Meidani, dhe të dy janë parë të buzëqeshur, duke treguar për përmirësim të raporteve. Vet ambasadori ka postuar fotografi nga dreka, duke theksuar se kanë biseduar për bashkëpunimin dhe vizionin e përbashkët për rrugën evropiane.
“Biseduam për çështjet e komunës dhe projektet në zhvillim — nga infrastruktura te arsimi — dhe e përgëzova për ndryshimin e dukshëm që është sjellë në këto fusha. Transformime që shihen në terren dhe që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.
Diskutuam gjithashtu procesin e integrimit evropian dhe rëndësinë e aderimit në BE , si një kornizë thelbësore për zhvillim të qëndrueshëm, institucione më të forta dhe standarde më të larta për komunitetet tona.
Shkëmbim i hapur idesh për hapat e radhës, bashkëpunimin institucional dhe një vizion të përbashkët për një të ardhme më të lidhur, më evropiane dhe më pranë qytetarëve.” ka shkruar Meidani.


