Ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të Donald Trump, duke e akuzuar atë se po luan me zjarrin në marrëdhëniet me Rusinë.
Në një postim në platformën X, Medvedev kritikoi ultimatumin e ri të Trumpit ndaj Moskës dhe Kievit, duke e cilësuar atë si një hap të rrezikshëm drejt përshkallëzimit.
“Disa herë 50 ditë, pastaj 10… Trump nuk duhet të harrojë dy gjëra, Së pari, Rusia nuk është as Izraeli dhe as Irani. Së dyti, çdo ultimatum i ri është një kërcënim dhe një hap drejt luftës. Jo midis Rusisë dhe Ukrainës, por me vendin e tij”, shkroi ai.
Në fund të mesazhit të tij, Medvedev nuk kurseu as ironinë, duke e këshilluar Trumpin “të mos ndjekë rrugën e ‘sleeping Joe’”, në një referencë sarkastike ndaj ish-presidentit amerikan Joe Biden.
Reagimi i Medvedev vjen pas paralajmërimit të Trump se do t’i jepte Moskës dhe Kievit një afat prej 50 ditësh për të arritur një marrëveshje paqeje, duke kërcënuar se në të kundërtën, do të vendoste tarifa 100% për Rusinë dhe vendet që bashkëpunojnë me të. Por vetëm pak ditë më vonë, Trump u shfaq edhe më i ashpër, duke e shkurtuar afatin në 10-12 ditë dhe duke shprehur zhgënjim ndaj qasjes së Moskës.