Mediat shqiptare, pa përjashtim, po i kushtojnë një hapësirë të gjerë marrëveshjes së arritur për datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut dhe gjendjen e zgjatur të jashtëzakonshme nga shefi i shtetit, Stevo Pendarovski.
“Zgjedhjet e parakohshme në Maqedoninë e Veriut do të mbahen më 15 korrik”, “Pas shumë marrëveshjeve, më në fund marrëveshje për zgjedhjet më 15 korrik” “Presidenti Pendarovski për tetë ditë e shtyu gjendjen e jashtëzakonshme” “Pendarovski pret që zgjedhjet të jenë demokratike”, janë titujt më të zakonshëm të informacioneve që i transmetojnë mediat.
Partitë politike në Maqedoninë e Veriut kanë arritur përfundimisht një marrëveshje për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme më 15 korrik. Që nga dorëheqja e ish-kryeministrit Zoran Zaev, vendi ka qenë pa një parlament dhe me qeveri teknike, e cila pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të pandemisë kishte të drejtë të merrte vendime me forcë juridike, thekson Ora Njuz.
Top Channel paraqet një pasqyrë më të gjerë të rrjedhës së bisedimeve dhe konsensusit të arritur midis liderëve të dy partive më të mëdha politike, Zoran Zaevit të LSDM-së dhe Hristijan Mickovskit të VMRO-DPMNE-së.
Në të gjitha raportet e gazetarëve për zhvillimet më të fundit në skenën politike të Maqedonisë kujtohet data fillestare, për negociatat të udhëhequra midis partive politike, si dhe takimet e liderëve me diplomatët e huaj.
Gjithashtu është transmetuar edhe qëndrimi i BDI-së, të cilët besojnë se me konsensusin e arritur është shmangur një krizë politike në vend.
Duke i transmetuar lajmet për vendimin e presidentit Pendarovski për zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme për tetë ditë, theksi kryesor vendoset në deklaratën e tij se “pret që zgjedhjet të jenë të lira dhe demokratike, duke e marrë parasysh perspektivën euro-atlantike të vendit”.



