Për ndodhitë e fundit në Maqedoni ka shkruar edhe media konservatore gjermane “Die Welt”, sipas së cilës Europa për dallim nga SHBA është e pafuqishme për të ndërhyrë në vendin e vogël ballkanik.
“Vizita e Hoyt Lee në Maqedoni ishte në vazhdën e gjetjes së zgjidhjes politike në Maqedoni dhe mos përsëritjen e ngjarjeve të 2001,” shkruan fillimisht Die Welt. “Pas Luftës së Kosovës shqiptarët e armatosur kërkuan më shumë të drejta në Maqedoni. Në fund u gjet një kompromis, por jo një zgjidhje e vërtetë.”
Raportet e Maqedonisë me fqinjët
Maqedonia është e vogël, e dobët edhe e kufizuar me shtetet fqinje shqiptare: Shqipërinë në perëndim dhe Kosovën në veri. Shumë shqiptarë ëndërrojnë bashkimin e territoreve të tyre, disi dhe ndonjëherë. Rreth 25 përqind e banorëve në Maqedoni janë shqiptarë.
Gjithashtu Greqia, Serbia dhe Bullgaria kanë apetite territoriale ndaj Maqedonisë pasi disa territore të saj i shohin si pjesë e historisë së tyre. Ngjashëm si gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë.
Edhe së fundi problemi (sëpaku tërthorazi) është me shqiptarët ku partia “konservatore” OBRM ka hezituar ta dhurojë mandatin me pretekstin e cënimit të sovranitetit të vendit, por në fakt është frika e ngritjes së procedurave penale kundrejt tyre pasi kanë përgjuar ilegalisht 20.000 persona. Shqiptarët mbi të gjitha kërkojnë zyrtarizimin e gjuhës shqipe, një kërkesë e papranueshme për OBRM.
Forca e re e shqiptarëve të Maqedonisë
Përfaqësuesit politik të shqiptarëve në Maqedoni gjithashtu janë nën presion për t’u paraqitur më radikalisht. Tani në skenë ka dalur një forcë e re, Lëvizja BESA.
Qendra e kritikave të saj është mos mbajtja e premtimeve nga 2001, që ishin bazë për përfundimin e Konfliktit. Në zgjedhjet parlamentare në fund të 2016, Lëvizja BESA mori 5 % të votave, duke i sjellur humbje drastike dy partive tradicionale shqiptare PDSH dhe BDI. Kjo tani i ka shtyrë shqiptarët për të bërë kërkesa më të ashpra.
Në fund media konservatore gjermane shkruan edhe për “luhatjet” e politikanëve në Shqipëri dhe Kosovë se nëse dështon perspektiva europiane vendet e tyre mund të orientohen drejt Turqisë ose edhe Bashkim Kombëtar.
“Ose do bien kufijtë siç është projekti i BE, kështu thotë logjika – ose do kërkojmë “në rrugë tjera” bashkimin. Andaj Maqedonia me krizën e pafundme qeveritare mbetet akoma Fuçi Baruti mbi Ballkanin.”