“Unë ju premtoj se deri në ora 12.00 do i sjell këta 15 persona në vendvotime,” tha militantja partiake Gordana S. nga Prilepi. Ajo banon në rrugën Marshall Tito 20 dhe kontrollonte votuesit e saj në vendvotimin numër 1403. Europa ka dërguar ekspertët e saj për të monitoruar zgjedhjet, por është e paqartë nëse me këtë krizë që e ka kapluar Brukselin, të kryejë presione për demokratizimin e Maqedonisë, shkruan fillimisht gazeta më me ndikim në Gjermani, Süddeutsche Zeitung.
Pavarësisht fjalive të liderëve partiakë për zgjedhje të lira, presionet ndaj qytetarëve është i kudondodhur në Maqedoni.
“Brenda një dite pranojmë rreth 120 raste për presione, kërcënime dhe manipulime të listave zgjedhore,” thotë Xhabir Deralla nga vëzhguesi zgjedhor i shoqatës jo-qeveritare “Civil”.
Fotografimi i votës
Pasi bën rezyme të krizës politike në Maqedoni, protestat, përgjimet dhe tërheqjen nga posti i kryeministrit të Nikola Gruevskit, shkrimi më pas vijon me citimin e një diplomati.
“Reformat duhet të rrëzojnë kontrollin total që ushtron Gruevski mbi qeverinë, mediat dhe drejtësinë, si dhe krijimin e kushteve për zgjedhje të lira e demokratike,” tha një diplomat, pa treguar emrin. “Megjithatë, pavarësisht se reformat e kërkuara nuk janë zbatuar tërësisht, zgjedhjet u mbajtën.”
Prokurorja Speciale, Lence Ristovska në anën tjetër deklaron se u vështirësohet puna për shkak se ish ministrat dhe qeveritarët kanë refuzuar bashkëpunimin për ti gjykuar.
Përkundër skandaleve dhe shumë akuzave ndaj qeverisë, partia e Gruevskit, OBRM-PDUKM fitoi 38 përqind të votave, më shumë sesa Lidhja Social Demokrate 36%. Gruevski ka pasur një fushatë të ashpër, ku akuzoi se përgjimet janë marrë nga shërbimet e huaja dhe se Zoran Zaev kërkon të shesë Maqedoninë te shqiptarët pakicë, përcjell botasot.info.
Te shumë votues akoma kjo strategji ha bukë. Momentalisht Gruevski në Maqedoninë e vogël me rreth 2 milion banorë kontrollon 182.000 administratorë shtetërorë. “Shumë sosh e kanë për obligim të nxjerin në foto fletën e votimit,” thotë eksperti Deralla. E mira ishte se rreth një e treta e qytetarëve deri të dielën nuk kishin vendosur për kë të votojnë./BS/