Media britanike The Telegraph i ka kushtuar një artikull shqiptarit që nuk mund të deportohet ka organizuar një festë luksoze me shampanjë për të kremtuar 10-vjetorin e jetës së tij në Britani, pavarësisht urdhrave për largim.
Dorian Puka, 29 vjeç, i cili ka qenë dy herë në burg dhe deportuar për vjedhje banesash, arriti të kthehej në Mbretërinë e Bashkuar të dyja herët dhe të vazhdonte aktivitetin e tij kriminal. Për këtë përvjetor, ai organizoi një festë VIP në klubin Cirque le Soir, i rrethuar nga valltare burleske dhe shampanjë me vlerë mijëra paund.
Në videot e postuara në Instagram, Puka shihet duke kërcyer, duke pirë shisha dhe duke treguar stilin e tij luksoz, përfshirë gjashtë orë Rolex dhe makina luksoze si Ferrari dhe një Lamborghini URUS V8 2022 me vlerë rreth 180,000 paund.
Zyra e Brendshme (Home Office) ka pranuar se nuk ka mundësi ta largojë përsëri Pukën derisa kërkesa e tij për azil të shqyrtohet plotësisht, por ka paralajmëruar se kriminelët e huaj nuk duhet të dyshojnë se ligji do të zbatohet.
Puka ishte arrestuar fillimisht më 17 shkurt 2015 për vjedhje në Twickenham, Londër jug-perëndimore, kur pronari ishte në Francë. Ai u dënua me 9 muaj burg dhe u pajtua të deportohej pas daljes nga burgu, por brenda një viti arriti të kthehej në Britani për të kryer një seri vjedhjesh të tjera.
Pas arrestimit të tij të dytë dhe një dënimi prej tre vitesh e gjysmë, Puka u deportua në mars 2020, por më pas përmes Gjermanisë, Belgjikës dhe Holandës, ai arriti të depërtojë sërish në Britani në dhjetor 2020.
Që nga viti 2023, Puka ndodhet në kushtet e lirisë me masë elektronike dhe me leje azili në pritje të vendimit të një tribunali.
Zyra e Brendshme ka theksuar: “Qeveria nuk do lejojë që kriminelët e huaj dhe emigrantët ilegalë të përfitojnë nga ligjet tona. Po reformojmë ligjet për të drejtat e njeriut dhe sistemin e apelit për të mundësuar deportime më të shpejta dhe efektive”.
Artikulli i The Telegraph: Albanian criminal who cannot be deported celebrates decade in Britain


