Javën e kaluar (30.09-06.10.2024), në Republikën e Maqedonisë së Veriut janë raportuar 25 raste të të prekurve nga gripi/sëmundjet e ngjashme me gripin, raporton Portalb.mk.
Të sëmurët e kësaj jave janë rastet e para të raportuara gjatë sezonit të ri dhe janë regjistruar në Gostivar – 15, Теtovë – 5, Kavadar – 4 dhe Strumicë – 1.
Sa i përket moshës, te grupmosha 15-64 janë regjistruar 14 persona, te grupmosha mbi 65 vjet – 8 dhe te fëmijët nga 5-14 janë regjistruar 3 raste.
Nga Instituti i Shëndetit Publik thonë se vaksinimi kundër gripit është mbrojtja më e mirë nga kjo sëmundje, sidomos për personat e moshuar (mbi 65 vjet), fëmijët nga 6 deri në 59 muaj, personat mbi 6 muaj dhe me sëmundje kronike, gratë shtatzëna dhe punonjësit shëndetësorë.
“Për sezonin 2024/2025, Ministria e shëndetësisë siguroi 70 000 doza të vaksinë katërvalente falas për këto kategori të popullatës. 10.000 doza shtesë të vaksinës katër valente janë siguruar përmes donacionit nga PIVI (Partnership for Influenza Vaccine Introduction)”, thonë nga ISHP.
Vaksinimi kundër gripit për sezonin 2024/2025 do të zbatohet në Shtëpitë e shëndetit dhe/ose Qendrat e shëndetit publik me Njësitë e tyre rajonale. Caktimi i termineve për vaksinat falas bëhet nëpërmjet uebfaqes www.vakcinacija.mk.
2.600 vaksina komerciale shtesë janë siguruar nga ana e Qendrave të shëndetit publik si vaksina për pjesën tjetër të popullatës dhe ato mund të merren për një kompensim financiar të caktuar në Qendrat e shëndetit publik dhe Njësitë e tyre rajonale.
Ndryshe, Covid-19 vazhdon të qarkullojë në rajon, me një numër relativisht të ulët të infeksioneve. Grupmoshat më të mëdha vazhdojnë të përbëjnë numrin më të madh të rasteve.