Të dhënat janë në përditësim
■ Ekipet e shpëtimit vijojnë intensivisht kërkimet për të mbijetuar në jug të Turqisë dhe në veri të Sirisë, pas dy tërmeteve të fuqishme të së hënës.
■ Më shumë se 11,104 persona janë konfirmuar të vdekur, megjithatë autoritetet druhen se numri i viktimave mund të vijojë të rritet.
■ Zonat e prekura nga tërmeti po vizitohen këtë të mërkurë nga presidenti turk President Recep Tayyip.
■ Në Turqi, numri i të vdekurve ka shkuar në të paktën 9,057, ndërsa të plagosurit janë mbi 50,000.
■ Në Siri të vrarët janë 2,530, ndërsa të plagosurit mbi 4,000.
■ Përpjekjet për të shpëtuar sa më shumë jetë vijuan edhe në natën e dytë nën temperatura të acarta. Ekipet e shpëtimit janë në luftë më kohën.
■ Ekipe nga të paktën 70 vende të botës, përfshirë Shqipërinë, kanë shkuar në zonat e prekura nga tërmeti.
■ Në Siri mbërritja e ndihmës ndërkombëtare është më e vështirë, për shkak të aksesit të limituar, si pasojë e rrugëve të dëmtuara.
■ Tërmeti i parë me magnitudë 7.8 ra pranë Gaziantep, në orët e para të hënës. Ai u pasua nga një tjetër tërmet i fuqishëm në mesditë, me magnitudë 7.5.
Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan i është kundërpërgjigjur zemërimit të popullit në rritje për përgjigjen e shtetit pas fatkeqësisë së madhe natyrore.
“Është e pamundur të përgatitesh për një fatkeqësi kaq të madhe”, u shpreh Presidenti Erdogan.
Gjatë një vizite në Hatay, një nga rajonet më të goditura nga tërmeti, Presidenti Rexhep Tajip Erdogan u tha gazetarëve se numri zyrtar i të vdekurve ishte rritur në 9,057.
Ndërkohë ata që kanë deklaruar se nuk i kanë parë aspak forcat e sigurisë në disa zona të prekura nga tërmeti, i ka cilësuar si “provokues”.
Gjatë një ndalese tjetër më herët në një nga zonat e prekura nga fatkeqësia, ai pranoi disa probleme, por tha se situata ishte tani “nën kontroll”.
Kritikat nga figurat e opozitës po rriten. Disa pretendojnë se përpjekjet emergjente kanë qenë shumë të ngadalta dhe se nuk është bërë mjaftueshëm për të përgatitur rajonin e prirur nga tërmeti gjatë tetë viteve të tij në detyrë.
BE-ja ka konfirmuar se do të dërgojë 3.5 milionë € ndihmë për Sirinë. Njoftimi erdhi pasi Siria kërkoi zyrtarisht ndihmë sipas një skeme të krijuar për të mbështetur vendet e goditura nga fatkeqësitë natyrore, gjë që ka aktivizuar Mekanizimin e Mbrojtjes Civile të BE-së.
Gjithashtu blloku ka njoftuar një vlerë fillestare prej 3 milionë € ndihmë për Turqinë pasi vendi aktivizoi Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së.
Më herët, korrespondenti i BBC News shpjegoi se dërgimi i ekipeve në Siri do të ishte më i ndërlikuar se Turqia, pasi kontrolli në veri është i ndarë midis qeverisë dhe grupeve rebele.
Ky djalë i vogël qëndroi në rrënojat e tërmetit për më shumë se 45 orë në juglindje të Turqisë.
Quhet Mohamed dhe është 4-vjeç dhe gjëja e parë që u kërkoi pjesëtarëve të ekipeve të emergjencës ishte ujë. Siç duket edhe në pamje, ata ia japin ujin me kapakun e shishes, si i vetmi mjet rrethanor që mund të arrinte mes shtresave të betonit që e kishin zënë poshtë.
Ndërsa këta dy të mitur, motër e vëlla u gjetën të gjallë, të përqafuar mes rrënojave të banesës së tyre. Vajza u kërkon punonjësve ta shpëtojnë atë dhe vëllain dhe mirënjohje për gjithë jetën, premton se do të bëhet skllavja e tyre.
I mbijetuar mes rrënojave për 48 orë, ky djalë i vogël pyet i dëshpëruar punonjësit e kërkim shpëtimit, nëse do i prisnin krahun për të dalë nga vendi ku kishte mbetur.
Të gjallë pas dy ditësh nën rrënoja janë nxjerrë me qindra foshnje, vetëm disa muajshe.
Në rrjetet sociale qarkullon edhe ky filmim i një djali sirian që ka transmetuar drejtpërdrejt momentet kur ishte nën rrënoja dhe ndjesinë e tmerrit që po përjetonte kur lëkundjet vazhdonin.
Edhe pse deri më tani nuk ka shifra të sakta, me mijëra fëmijë janë nxjerrë dhe vazhdojnë të nxirren të gjallë nga rrënojat edhe në ditën e tretë pas tërmeteve të fuqishëm. Sipas OBSH-së, 1.4 milionë fëmijë mendohet se po vuajnë pasojat e lëkundjeve katastrofike.