Më shumë se 10% e proceseve gjyqësore zvarriten nëpër gjykata, por për gjithë këto raste kur lënda nuk është përfunduar brenda një kohe të arsyeshme, qytetarët mund që t’i paraqesin tek Gjykata Supreme. Kështu njoftoi avokati Bllago Jovanov, njëkohësisht edhe pjesë e ekipit të Shoqatës për Hetim, Analizë dhe Zhvillim “Llupa e Gjelbërt”. Ndërsa, mos denoncimi i rasteve të këtilla nga ana e personave që gjenden në këto situata, sipas avokatit Jovanov qëndron në atë se tek ata mbizotron frika nga gjykatësi, nga i cili caktohet fati.
BLLAGO JOVANOV, AVOKAT
“Qytetar të nderuar, ky nuk është faji juaj. Konventa Evropiane Për të Drejtat e Njeriut, ju garanton të drejtën për gjykim brenda një kohe të arsyeshme. Ky institucion prapa nesh, Gjykata Supreme e ka këtë fuqi, t’i parandaloj këto parregullsi ligjore dhe anomali dhe të garantoj gjykim për një kohë të arsyeshme. Megjithatë, a e keni pyetur veten, pse kjo gjykatë nuk përdoret…kjo është përshkak se njerëzit nuk guxojnë të ngrisin iniciativa të këtilla, sepse frikësohen të mos e hidhërojnë gjykatësin, sepse në fund të ditës, fati është në duart e tyre”.
Ai gjithashtu bëri të ditur se “Llupa e Gjelbërt” në bashkëpunim me Ambasadën holandeze punon në gjetjen e ideve për përdorimin e përvojave ligjore të shteteve të tjera, për atë se si ky institucion të mund të përdoret nga qytetarët.
Deri tani ata kanë ngritur 10 iniciativa për mbrojtjen e të drejtës për gjykim, për një kohë të arsyeshme. Ndaj Jovanov bënë thirrje që gjithë qytetarët të paraqesin këto raste dhe në këtë mënyrë të shërbejnë si shembull për gjithë ata që ngurrojnë të bëjnë një denoncim të këtillë.
BLLAGO JOVANOV, AVOKAT
“Në këtë drejtim i inkurajoj dhe i bëj thirrje të gjithë qytetarëve që u është mohuar kjo e drejtë dhe ende ngulfaten në mënyrë të pabarabartë për procedura ligjore që prolongohen, rastin e tyre ta paraqesin tek ‘Llupa e Gjelbërt’ dhe me shembullin e tyre të kontribojnë për shërim të trupit gjykues”.
Pa dashur të përmend një numër konkret të rasteve gjyqësore që prolongohen nga gjykata, avokati Jovanov tha se rastet e këtilla janë të shumta. Ndërsa këto të dhëna dalin nga studimi i bërë nga ekipi i “Llupës së Gjelbërt”. Emine Ismaili /SHENJA/

