Nënkryetari i PD, Luçiano Boçi ka deklaruar për mediat se Partia Demokratike nuk do të bojkotojë Komisionet për Reformën Territoriale dhe Zgjedhore.
Pas mbledhjes me dyer të mbyllura mes demokratëve, ai u shpreh se PD-ja do të vijojë të jetë pjesë e Komisionit të Reformës Zgjedhore.
“Do të vazhdojmë me axhendën e komisionit, e cila ka mbetur në momentin e zgjedhjes së sekretarit të komisionit. Nuk do ta bojkotojmë komisionin”, tha ai.
Më tej ai theksoi se PD nuk do bashkëpunojë me Edi Ramën në nivele të tilla që konsiderohen bashkëpunime politike, por bëhet fjalë për një komision të rëndësishëm e të posaçëm.
Boçi ndër të tjera shtoi se më i rëndësishëm se ky komision është Këshilli i Mandateve dhe Rregullores, i cili sipas tij, ka dështuar pikërisht për shkak të mosmbledhjes nga ana e mazhorancës me qëllim që të mbrojnë zv.kryeministren Ballukun që asaj të mos i hiqet imuniteti.
“Ai komision ka dështuar pikërisht për shkak të mosmbledhjes nga ana e mazhorancës, nga zoti Peleshi, por edhe nga zoti Balla, i cili vendos ultimatume me qëllim që të mbrojë Ballukun dhe të mos i hiqet imuniteti. Pra, mbledhja konsiderohet nul“, tha ai.
Boçi: Për sa i takon mbledhjes së sotme, ajo është nul, sepse u thirr me ultimatum. Ultimatumi, siç e dini shumë mirë, u artikulua nga zoti Balla dhe është i papranueshëm në jetën politike, aq më tepër kur vjen nga zotërinj të tillë, për të cilët nuk duhet përdorur as kjo fjalë.
Mbledhja është nul sepse nga ana tjetër mbledhjet e komisionit thirren në bashkëpunim mes bashkëkryetarëve. Unë jam bashkëkryetar i komisionit, nuk jam njoftuar, nuk kam dhënë lista, nuk kemi biseduar. Kjo është e vërteta. Jo vetëm për këtë mbledhje, por edhe për të tjerat në ditët e mëparshme, të cilat janë përdorur si argumente për bojkotin e PD-së.
Sigurisht, nuk bashkëpunojmë me Edi Ramën në nivele të tilla që konsiderohen bashkëpunime politike, por bëhet fjalë për një komision të rëndësishëm e të posaçëm. Por më i rëndësishëm se ky komision është Komisioni ose Këshilli i Mandateve dhe Rregullores. Të mos harrojmë që aty anëtarësia është në paritet.
Ai komision ka dështuar pikërisht për shkak të mosmbledhjes nga ana e mazhorancës, nga zoti Peleshi, por edhe nga zoti Balla, i cili vendos ultimatume me qëllim që të mbrojë Ballukun dhe të mos i hiqet imuniteti. Pra, mbledhja konsiderohet nule.
Ndërkohë, qëndrimi i PD-së, pas diskutimeve në Grupin Parlamentar dhe në Kryesinë e Vogël, është që PD-ja vazhdon dhe do të vijojë të jetë pjesë e Komisionit të Reformës Zgjedhore, në një mbledhje sa më të afërt, të dakordësuar ndërmjet bashkëkryetarëve. Do të vazhdojmë me axhendën e komisionit, e cila ka mbetur në momentin e zgjedhjes së sekretarit të komisionit. Nuk do ta bojkotojmë komisionin.
Prononcimi im publik nuk mjafton. Unë jam i detyruar, duke respektuar etikën parlamentare, të njoftoj për gatishmërinë e Grupit të PD-së dhe të anëtarëve të këtij komisioni për të bashkëvijuar këtë reformë, e cila duhet thënë se është e rëndësishme dhe nuk duhet paragjykuar. Kemi dëgjuar se ata kanë variante të gatshme në sirtarë. Finalizimi duhet të jetë konsensual, në bazë të parimit të paritetit të votave. Janë çështje që do të diskutohen në vazhdimësi të punës që do të bëjë komisioni.


