Në Tetovë ende nuk është bërë ndërtimi i Urës së Kazazëve dhe Kullës së Sahatit ashtu siç u premtua nga Komuna e Tetovës. Megjithatë nga komuna konfirmojnë se këto dy projekte do të realizohen me përkrahje nga dy komuna turke, por nuk japin afat se kur do të përfundojnë, shkruan Portalb.mk.
Në programin zgjedhor ‘Me ka krejt për Tetovën’ 2021-2025 me të cilin kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami garoi dhe fitoi në zgjedhjet e fundit lokale tetorin e vitit 2021, mes tjerash përmend edhe ndërtimin e Urës së Kazazëve dhe Kullës së Sahatit.
Te pjesa e kulturës, konkretisht në faqe 11 thuhet:
“Ndërtimi i Urës së Kazazëve dhe Kullës së Sahatit. Qëllimi: Pasurimi i qytetit me vlerta kulturore dhe artistike, atraksion turistik dhe kulturor për vizitorët e huaj dhe vendas”.
Por, tre vite e disa muaj më vonë prej kur Kasami erdhi në krye të Komunës së Tetovës, këto pika të programit nuk janë realizuar ende në terren.
Nga Komuna e Tetovës bëjnë me dije se këto projekte do të realizohen me ndihmë nga dy komuna turke.
Ura do të përkrahet nga Komuna e Stambollit kurse Kulla e Sahatit nga Komuna e Konjës.
Megjithatë në vend të urës së Kazazëve do të ndërtohet urë tjetër pak më poshtë.
“Nga Komuna e Stambollit kanë ardhur një grup ekspertësh që kanë bërë vlerësimin e terrenit dhe janë duke përgatitur projekt edhe për Sahat Kullën edhe për pjesën e rregullimit të shtratit të lumit te Xhamia e Larme. Propozimi i tyre ishte i pranueshëm dhe i logjikshëm, ishte që në vend të Urës së Kazazëve, sepse për ta ndërtuar urën e Kazazëve duhet ta prishim urën aktuale, ata nuk bëjnë zhvendosje për të improvizuar një urë të njëjtë krahas urës ekzistuese dhe propozuan që në vend të saj të bëjnë projekt për urën tjetër ekzistuese që ka qenë afër Hamamit të qytetit dhe për momentin në vend të Urës së Kazazëve jemi duke punuar për ndërtimin apo rikthimin e Urës së Gurit që ka ekzistuar mbi Hamamin e qytetit. Për ne kjo ishte më e pranueshme dhe vazhdojmë me këtë projekt”, sqaroi Kasami.
Kujtojmë që Ura e Kazazëve u rikonstruua në vitin 2018 pas shumë zvarritjeve.
Ndërkaq ndërtimin e Kullës së Sahatit e konfirmoi edhe kryetari i Komunës së Konjës, Ibrahim Alltaj më 29 janar 2025 gjatë një vizite në Tetovë.
“Sigurisht se do të vazhdohet të realizohet projekti i Sahat Kullës që ka qenë i dakorduar por është ndërprerë”, tha Ibrahim Alltaj.
Përndryshe, edhe në të kaluarën ka pasur shumë premtime për ndërtimin e Sahat Kullës në vendin ku ka qenë më parë, në rrugën që të çon deti te Biblioteka e vjetër e qytetit, por pa rezultate në terren.