Sot jemi mbledhur këtu për të ngritur zërin mbi një rrezik që prek jetën tonë dhe çdo familje Tetovare: SHITJA ose privatizimi i Ujësjellësit pas zgjedhjeve.
Uji është një pasuri që nuk e kemi krijuar ne, por që na është dhënë nga Zoti dhe që kemi detyrimin ta mbrojmë.
Informacionet se Komuna po përgatitet që ta japë me Koncesion PRIVATIT Ujësjellësin janë ALARM i madh. Ne këtë nuk do ta lejojmë me asnjë kusht!
Gjithmonë kur privatizohen pronat dhe shërbimet publike pësojnë qytetarët. Këtë e pamë në rastin e mbeturinave me Saubermacher, me Monopolin, me parkingun e qytetit, me ndriçimin publik.
Kudo ku u futën interesat private, qytetarët paguajnë më shumë dhe marin më pak. Mijëra qytetarë përfundojnë me fatura të gabuara dhe me lëndë në përmbarues.
Ne, si lëvizja “Më Mirë për Tetovën”, kërkojmë me vendosmëri që:
1 Ujësjellësi të mbetet ndërmarrje publike, nën përgjegjësinë e komunës.
2 Menaxhimi i tij të bëhet me transparencë, profesionalizëm dhe me plane afatgjata për përmirësimin e rrjetit.
3 Të gjitha subjektet politike të nënshkruajnë një memorandum, ku garantohet se ndërmarrja e ujit nuk do të privatizohet.
4 Komuna të raportojë rregullisht, publikisht dhe me transparencë për gjendjen financiare dhe investimet në këtë sektor.
Nuk ka vota për asnjë kryetar komune që bën pazare me Ujësjellësin!
Uji nuk privatizohet! Privatizimi i ujit nuk kalon!