Ekonomia e Maqedonisë së Veriut në vitin e kaluar ka shënuar recesion, apo një rënie ekonomike të përgjithshme prei 4.5 për qind minus në Prodhimin e Brendshëm Bruto, si rrjedhojë e krizës së shkaktuar nga pandemia. Një rënie e tillë është shfaqur me rritjen e papunësisë, uljen e prodhimtarisë industrial për dhjetë për qind në vitin 2020 në raport me vitin paraprak, uljen e aktivitetit ekonomik në më shumë degë, të shitjeve me pakicë, të ardhurave të biznesit etj. Vonesat në vaksinimin e popullatës në vend, ngjashëm me gati të gjitha shtetet e rajonit, por edhe me pjesën dërmuese të shteteve evropiane, por edhe përkeqësimi i situatës me pandeminë në kohën e fundit, kanë zbehur edhe optimizmin e biznesit për një rikuperim më të shpejtë të ekonomisë në periudhën pas dy tre mujorëve të parë vitit.
Vlerësohet se në tërë Ballkanin Perëndimor, vaksinimi dhe ngadalësimi i përhapjes së infektimit me virusin vdekjeprurës do të jenë janë parakushte për rimëkëmbjen graduale të ekonomisë këtë vit. Ekspertët ekonomik, por edhe institucionet e ndryshme vlerësojnë se është vështirë të parashikohet se a do të arrihet sivjet rritja ekonomike prej mbi 4 për qind, për shkak se tejkalimi i krizës ekonomike dhe shëndoshjes më të shpejtë të ekonomisë, sipas tyre varet nga tejkalimi i krizës shëndetësore dhe vaksinimit sa më të madh të popullatës. Njëherësh ekonomia vendore me një eksport fuqishëm të orientuar ndaj shteteve të Bashkimit Evropian, dhe rajonit varet me të madhe edhe prej zhvillimeve ekonomike në fqinjësi dhe si dhe shtetet evropiane si Gjermania ku vetëm në vitin e kaluar kemi eksportuar mallra në vlerë prej afër 2.8 miliardë euro, apo gati gjysmën e totalit të eksportit vendor.
“Tek partnerët tanë tregtar në Evropë po vërehet një rikuperim i ngadalshëm i ekonomisë në raport me parashikimet e mëparshme për shkak të vaksinimit të ngadalshëm dhe paraqitjes së variantit britanik të virusit që është edhe më i dëmshëm se ai paraprak, që ndjell sërish frikë dhe i pengon qeveritë të hapin ekonominë, objektet e shitjes me pakicë që do të rrisë edhe konsumin. Ekonomia vendore varet mjaft nga këto tregje evropiane, andaj edhe nuk mund të presim ringjallje më të shpejtë të ekonomisë vendore”, thotë numri një i Organizatës së Punëdhënësve të Maqedonisë, Angell Dimitrov. Sipas tij, veprimtari të caktuara kanë filluar të gjallërohen, mirëpo eksportuesit në përgjithësi vuajnë nga ulja e kërkesave dhe punojnë më pak. Ndikimin negativ të pandemisë ndaj eksportit vendor e tregojnë edhe të dhënat e statistikës sipas të cilave në vitin e kaluar kemi një rënie të eksportit pe afër 643 milion euro në raport me vitin 2019, ndërsa vetëm eksporti ndaj Gjermanisë ka shënuar ulje prej afër 400 milion euro.
Nga ana tjetër, ekonomistët thonë se pakot e ndihmës ekonomike qeveritare kanë ndihmuar, por sugjerojnë që të mendohet edhe për mënyra të tjera të mbështetjes së ekonomisë. “Në radhë të parë nevojitet një mbështetje më e madhe për investitorët privat që shpesh nuk po fiton suport të mjaftueshëm nga administrata. Nevojitet një vëmendje dhe kujdes më i madh ndaj investimeve kapitale, por edhe të gjetjes së tregjeve të reja, për shkak se ato të tanishmet të rënduara nga kriza vështirë se do të kalojnë atë”, thotë eksperti Zoran Ivanovski. Sipas tij, rritja e kërkesës dhe konsumit të prodhimeve vendore është kushti kryesor për rritje më të madhe ekonomike, andaj edhe imponohet zgjerimi në tregje të reja. Nga Banka Popullore e Maqedonisë vlerësojnë se vaksinimi si një nga strategjitë kryesore për menaxhimin me pandeminë do të ketë efektet e tij në ekonominë globale dhe në këto suaza, edhe ndaj ekonomisë vendore që varet prej zhvillimeve në rrafshin ndërkombëtar.
“Vaksinimi mund të paraqesë sinjal pozitiv që do të nxisë parashikimet optimiste , dhe me këtë të kontribuojë për rikuperimin më të shpejtë ekonomik seç pritej paraprakisht. Por megjithatë, akoma është herët të prejudikohen efektet e tilla, përderisa nuk fitohet një pasqyrë më e qartë për efektet shëndetësore të vaksinimit ndaj intensitetit të pandemisë”, thotë zëvendës-gvernatori i Bankës Popullore të Maqedonisë, Fadil Bajrami. Nga ana tjetër, Banka Botërore në raportin e fundit parashikon rritje ekonomike prej 3.6 për qind në vitin 2021 dhe 3.5 për qind në vitin 2022 për ekonominë e Maqedonisë. Parashikime të tilla për disa muaj edhe mund të ndryshohen në varësi prej zhvillimit më të ri të ngjarjeve, apo në varësi prej përmirësimit apo përkeqësimit të treguesve të ndryshëm ekonomik dhe financiar. Sipas Bankës Botërore, rritja ekonomike në Ballkanin perëndimor sivjet do të përshpejtohet deri në 3.5 për qind, në kushte të kthimit të besimit të konsumatorëve dhe biznesit, si dhe uljes së jostabilitetit ekonomik. Por nëse ka vonesa në vaksinimin e popullsisë dhe vazhdim të masave kufizuese, këto mund të vonojnë rimëkëmbjen ekonomike, thekson raporti i Bankës Botërore. (koha.mk)/Flaka.com.mk