Të gjithë të punësuarit në MPB do të përfshihen me procesin e “vetingut”. Do të kontrollohen arsimi i tyre profesional, integriteti, gjendja pronësore dhe aktivitete të mundshme kriminale nga struktura të caktuara në MPB, deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, para fillimit të tribunës së sotme me temë “vetingu”, pas promovimit të revistës “Siguria” në Shtëpinë e ARM-së në Shkup.
Gjyqësia dhe prokuroria, mes tjerash, theksoi Spasovski, duhet të kenë interes për veting, me qëllim që të përforcohet profesionalizmi dhe integriteti në ndërtimin e sistemit që do të funksionojë në mbrojtjen e shtetit dhe të qytetarëve dhe nuk do të varet nga politika, as nga politikanët, por sistem që do ta mbrojë shtetin juridik dhe do të krijojë mundësi për zhvillim.
Duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve nëse është i njoftuar me ekzistimin e agjentëve të dyfishtë të punësuar në MPB, Spasovski u përgjigj se tashmë ka filluar procesi i vetingut në Drejtorinë për siguri dhe kundërzbulim.
“Dëshiroj këtë ta konfirmojnë komisionet. Nuk është mirë të spekulojmë paraprakisht në mënyrë që të jemi atraktivë në mediume, por të konstatohet dhe të sillen vendimet e vërteta”, deklaroi ministri i Punëve të Brendshme.
I pyetur nëse si nënkryetar i Qeverisë e din nëse sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Dragi Rashkovski ka qenë i angazhuar të kyçet në tenderin për sistem M-NAV dhe a ekziston vërejtje qeveritare për atë, Spasovski u përgjigj se për momentin nuk e din nëse ka çfarëdo lloj konkludimi dhe detyrimi.
Ai shtoi se ka edhe lëshime të caktuara në institucion, ndërkaq për këtë, informoi, kanë biseduar në mbledhje të mbyllur të Qeverisë dhe në bazë të asaj janë sjellë konkludime për të cilat, tha, tani nuk mund të flasë publikisht.
Në pyetjen e gazetarëve se çka po ndërmerret lidhur me nëpunësit qeveritarë të cilët janë më të pasur edhe se disa biznesmenë të caktuar, ministri Spasovski përsëriti se janë ngritur shumë procedura të cilat kanë të bëjnë me falsifikimin e diplomave.
Lidhur me rekomandimet nga GREKO të cilat në numër të madh kanë të bëjnë me MPB-në, Spasovski theksoi se para dy javësh në suaza të MPB-së është formuar grup i punës i cili do të punojë në rekomandimet.
Sipas profesorit Nikolla Dujovski, pjesëtarët e MPB-së para së gjithash duhet të kenë qasje profesionale ndaj punës, e kjo nënkupton proces skajshmërisht të pastër të selektimit, të njerëzve të cilët do të përgatiten për trajnim në standarde evropiane në mënyrë që më pas të mund të instalohen në MPB. .


