Partia më e madhe opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE kushtëzon ndryshimet në Kodin Zgjedhor me ndryshimin e modelit zgjedhor të zgjedhjeve lokale dhe rregullimin e pjesëmarrjes së diasporës në zgjedhje. Nga partia e Mickoskit kërkojnë që në zgjedhjet lokale procesi zgjedhor të zhvillohet pa balotazh. “Një nga kushtet tona për ndryshimin e Kodit zgjedhor është që zgjedhjet të mbahen në një raund zgjedhor, pra pa balotazh. Kjo është e aplikueshme në praktik, vetëm se kërkon konsensus dhe vullnet politik për tu vënë në praktik”, deklaroi për KOHA, Dimçe Arsovski zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.
Por, ndryshe nga VMRO-DPMNE, mendojnë në LSDM. Nga kjo parti thonë se zgjedhjet lokale pa balotazh cenojnë procesin demokratik. Sipas tyre, ky model zgjedhor duhet diskutuar, por në rast se rrezikohet legjitimiteti i përfaqësuesve, nuk do të merret në konsideratë.
“E drejta e votës dhe vendimit se kush do të bëhet deputet, kryeministër ose president është e drejta më e shenjtë në demokraci. Nëse një demokraci të tillë e shkurtojmë dhe bëjmë që shumica e pashprehur të zgjedhë, atëherë procesi bëhet i diskutueshëm. Njerëzit çdo ditë e më pak dalin në votime, por në vendin tonë janë numrat më të mëdhenj. Kur një kandidat fiton me vota nën 51 për qind, vërtet mbetet e diskutueshme zgjedhje e përfaqësuesve”, ka deklaruar Zaev. Në anën tjetër nga BDI-ja e Ali Ahmetit thonë se marrëveshja politike është për model zgjedhor me lista të hapura në zgjedhje lokale. Nga këtu, sipas tyre, kjo ide për zgjedhje pa balotazh duhet diskutuar brenda në parti dhe mes partnerëve.
“Çdo ide tjetër për ndryshime të tjera eventuale në Kodin Zgjedhor do të jetë objekt i analizave dhe shqyrtimeve brenda partisë”, thonë nga BDI. Ndërkohë, opozita shqiptare nuk mbështet idenë për zgjedhje lokale pa balotazh. Sipas tyre, rëndësi duhet t’i kushtohet pastrimit të listës zgjedhore dhe listat e hapura për këshilltarë komunal. “Si fillim të pastrohet lista zgjedhore dhe pastaj të diskutohet modeli zgjedhor. Ne mbështesim modelin me lista të hapura për këshilltarë. Balotazhi për kryetar komune duhet të mbetet”, thonë nga koalicioni ASH-AAA.
Nënkryetarja e KSHZ-së, Ditmire Shehu thotë se gjithçka që do të jetë pjesë e Kodit zgjedhor, KSHZ është e obliguar teknikisht ta zbatojë. Por sipas saj, nëse në zgjedhjet lokale kryetarët zgjidhen pa balotazh, atëherë sa legjitim mund të jetë një kryekomunar gjatë ushtrimit të detyrës, “Gjithçka që do të futet në ligj është e zbatueshme, por sa do të ketë legjitimitet një kryetar komune i cili do të zgjidhet me pak vota. Në një komunë më të vogël ku numri i kandidatëve mund të jetë deri pesë, fituesi do të përcaktohet me 2 mijë apo 4 mijë vota. Sa do të ketë legjitimitet ti përfaqëson ai të gjithë qytetarët? Në anën tjetër që zgjedhjet të jenë të rregullta duhet të dalin 1/3 e qytetarëve të regjistruar në listat zgjedhore në zgjedhje. Kështu që nëse shkohet në ndryshim atëherë duhet të ndryshohet edhe kjo pjesë e Kodit Zgjedhor. Kjo është çështje më tepër politike”, deklaroi për KOHA, Shehu.
Ajo thotë se KSHZ është e gatshme të jap kontributin e saj edhe në këtë drejtim nëse ftohet në grupet e punës të partive politike dhe Ministrisë së Drejtësisë. “Nëse na ftojnë neve si KSHZ në grupet punuese të partive politike me Ministrinë e Drejtësisë, ne do të marrim pjesë. Disa herë na kanë ftuar, e disa herë jo. Të shohim çfarë do të përfshihet me ndryshimet e Kodit Zgjedhor. Vetëm ajo që është përfshirë me programin qeveritar që ka të bëjë me listat e hapura, apo edhe diçka më shumë. Edhe ne presim, deri në këto momente nuk ka ndonjë ndryshim”, theksoi ajo. Shehu konsideron se ndryshimi i Kodit Zgjedhor kërkon konsensus politik mes partive politike, dhe se KSHZ vetëm se zbaton ligjin, pasi që nuk ka kompetenca ligjvënës.
“Ne zgjedhjet i zbatojmë në pjesën teknike, ndërsa atë ligjore e ka në dorë ligjvënësi”, nënvizon Shehu. Ndryshe, në kuadër të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor Qeveria ka paralajmëruar edhe përfshirjen e rekomandimeve të OSBE-ODIHR-së brenda dispozitave ligjore. Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq ka paralajmëruar dorëzimin e propozimit në Parlament para festave të fund vitit. (koha.mk)




