Ish ushtarë dhe eprorë të UÇK-së thonë se borxhi prej 33 milionë eurove që qeveria VMRO-BDI ia ka falur Rusisë, do të mjaftonte për zgjidhje të përhershme të statusit të ish ushtarëve të UÇK-së, respektivisht të statusit të familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës.
Ata e vlerësojnë se po të dedikoheshin ato 33 milionë euro për UÇK-në, e jo për Rusinë, sot nuk do të kishte nevojë ish ushtarëve të UÇK-së të ju falen taksat komunale, akt që e konsiderojnë edhe si nënçmim, duke pasur parasysh edhe milionat që janë dhënë për blerjen e vilave dhe apartamenteve te Gjiri i Lalzit në bregdetin e Shqipërisë.
Lidhur me këtë çështje, Gazeta Lajm ka kërkuar prononcim nga Hysni Shaqiri, deputeti i vetëm që iu bashkëngjit UÇK-së në vitin 2001, si dhe nga kryetari i OVL-UÇK-së, Besim Hoda.
Sipas Hysni Shaqirit, kjo ndodhë edhe për shkak të afërsisë dhe lidhjeve që kanë mes vete dy popujt, maqedonas dhe rus në gjak, gjuhë, kulturë dhe interes, por nuk është e qartë se pse BDI është pajtuar me faljen e këtij borxhi. Shaqiri kritikon edhe lojërat që po bëhen me ish ushtarët e UÇK-së për përfitime të disa individëve të caktuar, sidomos në radhët e BDI-së.
“Ka pasur deklarata të papërgjegjshme duke premtuar se, sot, nesër do të zgjidhjet çështja e ish ushtarëve të UÇK-së,. Por edhe pse kaluan 17 vite e tepër, kjo çështje nuk është zgjidhur. Sa i përket interesimit të qeverisë për të zgjedhur këtë çështje, unë besoj se aty nuk ka asnjëherë disponim dhe nuk mund të pritet që të krijohet një klimë pozitive për ta bërë këtë. Qeveria bën gjithmonë taktizimet e veta, falë, shuma të paimagjinueshme të parave në rastin konkret për pyetjen që e keni formuluar, faljen e parave Rusisë. Është një çështje që do duhet të debatohet në kuadër të të gjitha strukturave që janë pjesë e Qeverisë dhe e pushtetit dhe kjo temë duhet të trajtohet në Kuvendin e Maqedonisë, nga cilat rrethana ka ardhur deri tek kjo iniciativë dhe qëndrim një guxim për ti falur kaq para Rusisë, në momentin kur populli ballafaqohet me varfërinë ekstreme dhe ka problem serioze duke pasur parasysh faktin që të rinjtë dhe intelektual të sferave të ndryshme braktisin Maqedoninë”, deklaroi Shaqiri, i cili shtoi se këtë veprim ish qeveria e ka bërë për të afruar më afër partnerit strategjik, Rusisë e cila ka investuar për 200 vite me radhë “në formimin e shteteve sllave që janë në Ballkan.
Sipas tij gabimi është edhe tek ne shqiptarët që nuk jemi treguar asnjëherë serioz për tema që kanë të bëjnë me fatin e popullatës, në rastin konkret të ish ushtarëve.
Për Besim Hodën kjo edhe njëherë dëshmon jo-seriozitetin e qeverisë, si të atëhershme si të tanishme veçanërisht me iniciativën për falje, pajtime që mundohen të bëhen gjithmonë në kuriz të popullit
“Sigurisht, jo vetëm kjo, por janë shumë raste tjera duke filluar edhe projekti Shkupi 2014, si rast flagrant, veçanërisht kur bëhet pyetje për pjesën shqiptare që në qoftë se dikush merr komoditet për të falur borxhe të tilla, shqiptarët ose përfaqësuesit shqiptarë nuk janë në gjendje të pengojnë atë të cilën e kanë të detyrueshme, obligueshme me të cilën pjesëtarët edhe të kësaj po edhe qeverive të kaluara janë bërë pjesë e përbërjeve me gjakun apo djersën e shqiptarëve dhe fatkeqësisht nuk e kanë kthyer në dobi të shqiptarëve por gjithnjë e kanë kthyer në të mirë, për interes personal dhe absolutisht nuk më habit heshtja”, deklaroi Hoda.
Sipas tij ka raste edhe më flagrante, siç janë ofendimet që kemi dëgjuar nga të ashtu quajturat “bomba”.
“Pjesa më e dhimbshme ka qenë edhe falja dhe pagesa e klauzolës së Johan Tarçullovskit, i cili jo që u pendua por edhe njëherë dëshmoi në rastin e 27 prillit se sa gjenetikisht ndjen urrejtje ndaj shqiptarëve dhe sigurisht është më e dhimbshme por për kriminelët nuk mjafton vazhdimi I të bërit krim flas edhe në rrafshin politik po ehe në rrafshin kriminogjen”, shtoi Hoda.
Ndërsa, qytetarët e intervistuar nga Lajm, thonë se UÇK-ja i solli në pushtet, kurse tashi ata i falin borxhe Rusisë.
Skandalin me borxhin e falur Rusisë, para dy javëve e zbuloi Prokuroria Speciale Publike. Që të jetë skandali më i madh, edhe Parlamenti e ka votuar faljen e borxhit ndaj Rusisë. Sipas prokurores Katica Janeva në këtë rast i pandehur kryesor është ish ministri i financave, Zoran Stavrevski. (s.n.)

