Policia e Shtetit vijon me kontrollet rrugore në vend. Gjatë orëve të mbrëmjes së kaluar, në terren ka zbritur dhe kreu i policisë, Ardi Veliu, i cili ka parë nga afër shkeljet e shoferëve.
Drejtor Veliu ka komunikuar drejtpërdrejt me punonjësit e Policisë Rrugore që kryejnë shërbim me radar dhe me patrullat e tjera të policisë rrugore ku u ka kërkuar tolerancë zero, të mos tolerohet asnjë rast i shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor që janë burim potencial për përfshirje në ngjarje rrugore e pasoja për jetën e përdoruesve të rrugës.
Gjatë inspektimit tek mbikalimi në rrugën interurbane Tiranë- Elbasan, në segmentin Sauk-Teg te mbikalimi, Veliu ka parë nga afër disa shkelje të përdoruesve të rrugës që qarkullonin me shpejtësi nga 133 km/orë deri në 170 km/orë.
Gjatë bisedës me punonjësit e Policisë Rrugore Drejtori i Përgjithshëm është shprehur se brenda pak ditësh do jenë në dispozicion të Policisë Rrugore edhe 4 radarë të tjerë, kamera dhe mjete të pauniformuara për të patrulluar në të gjitha akset rrugore kryesisht në ato ku janë konstatuar edhe aksidente me pasoja fatale për jetën, me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e çdo shkelësi të kodit rrugor.