Një aksident detar u regjistrua në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në zonën detare në veri të ishullit Andros, ku një anije mallrash me flamur të Vanuatu-t u përplas në shkëmbinj dhe më pas u fundos, raporton media greke To Vima.
Menjëherë pas sinjalizimit për incidentin, në vendngjarje mbërritën mjete lundruese të rojes bregdetare greke, si dhe një helikopter i Forcave Ajrore, të cilat realizuan me sukses operacionin e shpëtimit.
Të nëntë marinarët që ndodheshin në bord u evakuuan në kohë dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Sipas informacioneve paraprake, anija kishte nisur udhëtimin nga Shqipëria me destinacion Ukrainën, duke transportuar rreth 8 mijë tonë sodë. Për shkaqe që mbeten ende nën hetim, mjeti detar u përplas me shkëmbinjtë në orët e para të mëngjesit të së mërkurës (6 maj).
Përplasja shkaktoi dëmtime të rënda në trupin e anijes, duke çuar në hyrjen e shpejtë të ujit dhe, si pasojë, në fundosjen e saj. Autoritetet përkatëse kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.


