Nxënësit e ciklit të ulët të Shkollës Fillore ”Kemal Ataturk” në Vërtekicë, nuk kanë vazhduar gjysmëvjetorin e dytë, sikurse të gjithë moshatarët e tyre. Ata kanë vendosur që ta bojkotojnë mësimin, për shkak të vendimit të fundit të komunës së Studeniçanit dhe drejtorisë së shkollës, që të pezullohet një nga dy paralelet ekzistuese në Shkollën Fillore “Kemal Ataturk”.
Banorët e fshatit Vërtekicë shprehin revoltën e tyre lidhur me këtë vendim, duke theksuar se nuk e kanë të qartë se si mund të zhvillohet procesi mësimor në vetëm një paralele me tre gjenerata, gjegjësisht se si mund që nxënësit e klasës së parë, dytë dhe të katërt të ndjekin mësimin bashkërisht.
Nuhi Xhemaili, prind
“Fëmijët mësojnë prej klasës së parë deri në tetëvjeçare. Janë duke mësuar në katër klasa fëmijët të ndamë ashtu siç janë. Nga katër, nga tre, nga pesë fëmijë, Kanë marrë vendim që të bashkohen prej katër klasëve me bo një klasë të mësimit dhe t’i largojnë ata tre paralelet e tjera, që zhvillohet mësimi. Ne jemi mbledh dhe do të bojkotojnë deri sa të tërhiqet ky vendim… Nuk e kuptoj a ka logjikë që fëmiu me një orë të mësimit, të jepet mësim në katër lëndë”
Banorët u bëjnë apel të gjitha institucioneve kompetente që të rishqyrtohet ky vendim, në të kundërtën ata thonë se do të shfrytëzojnë të gjitha mekanizmat demokratike dhe njerëzore, që të pengojnë, siç theksojnë ata, dëmin që u shkaktohet atyre.
Abdyrrahim Ademi
“Apelojmë deri tek kryetari i komunës dhe tek drejtoria e shkollës që ta rishqyrtojnë edhe njëherë vendimin e marrë dhe të mos e pengojnë zhvillimin normal të procesit edukativo arsimor në fshatin Vrtekicë. Apelojmë edhe deri tek institucionet përgjegjëse në shtet që të ndërmarrin hapa të duhura, konform normave ligjore që të pengojnë hyrjen pa të drejtë të politikës në arsimimin e fëmijëve tanë. Përndryshe do të shfrytëzojmë të gjitha mekanizmat demokratike dhe njerëzore që ta pengojmë këtë dëm që na shkaktohet, duke mos përjashtuar edhe bojkotimin e mësimit nga ana e fëmijëve. “
Banor
“Une djalin prej Shkupi e kam pru, ka ardh në katund me gjithë fëmijët, ai djali tjetër do të vijë. Katundi ka me u shut, po kto çka mendojn me na bo këtë nuk e di. Mua zemra më qan fëmijët I kam lënë në shtëpi në shkollë. A e mendon ai kryetar që ja kemi dhënë votat, ose atij të ministrit, edhe atë e duam, por kështu sin a kanë bërë, ka dy ditë që fëmijët janë te shpija”
Kryetari i Komunës së Studeniçanit, Azem Sadiku, thotë se të gjitha vendbanimet në të cilat numri i nxënësve është zvogëluar është vepruar njësoj, duke numëruar këtu fshatin Maja e Zezë, LLov dhe fshatin Cvetovë. Ai thotë se një gjë e tillë bëhet me qëllim të zvogëlimit të shpenzimeve, për shkak të mjeteve të kufizuara që i posedon kjo komunë.
Azem Sadiku, kryetar i Komunës së Studeniçanit
“Unë si kryetar i komunës edhe në mandatin e kaluar edhe tash, mundohem për çdo vendbanim, për çdo qytetar të jem i hapur dhe këtë e dijnë qytetarët e komunës së Studeniçanit. Tash ata po mundohen ta përziejnë pak politikën, nuk është e vërtetë, unë jam mundu në mënyrën më njerëzore t’ua tregoj se komuna e Studeniçanit ka problem me mjetet e blogdotacionet që i marrim nga Ministria e Arsimit, sepse jemi shumë të kufizum. Përveç rrogave të arsimtarëve ne kemi nevojë edhe për harxhimin e nxemjes, rrymës, mjeteve tjera ndihmëse për ta organizu sa më mirë arsimin. Ne jemi të obliguar nga mjetet e buxhetit të komunës t’i mbulojmë ndonjëherë edhe nevojat e shkollave fillore”
Banorët po ashtu shprehin revoltën e tyre për largimin nga puna të arsimtarit të kësaj shkolle, Isen Memedi, i cili sipas tyre, është me kualifikim adekuat, ka përvojë mbi 6-vjeçare dhe e ka dëshmuar veten si mësimdhënës në këtë shkollë. Ata thonë se nuk nuk do të lejojnë largimin e tij nga vendi i punës pa të drejtë, pasi ai ka plotësuar të gjitha detyrimet dhe ka kontrituar në cilësinë e arsimimit në këtë fshat.
Deshëm të marrim prononcim edhe nga drejtori i shkollës, megjithatë disa nga shërbimet e shkollës thanë se ai ndodhet në fshatin Konjare, ku po zhvillon mbledhje dhe nuk mund të prononcohet për mediat. Fshati Vërtakicë numëron rreth 140 banorë, ndërkaq shkollën fillore e ndjekin 17 nxënës. Ajnur Bafqari /SHENJA/
https://youtu.be/RUyPTNniLZg