Anulimi i studimeve të disperzuara të Universitetit Kirilli dhe Metodi, sipas ekspertëve është i qëlluar pasi sipas tyre, këto studime ishin një hap i shpejtuar, i marrë pa konsultuar ekspertët dhe pa debat publik. Sipas ish-ministrit të arsimit, Nenad Novkovski universitetet në disa qytete kanë rritur mjaftueshëm qasjen e studentëve në arsimin e lartë, andaj studimet e disperzuara janë të panevojshme dhe iracionale.
Është hapur universitet në Tetovë, në Shtip këta i mundësuan studentëve qasje të madhe në arsimin e lartë. Praktikisht nuk ka nevojë për studime të disperzuara, përveç rasteve të caktuara. Dëmet janë në joracionalitetin, sepse nuk mund të mbahet ai mësim siç duhet, me të njëjtat resurse, sepse nuk u ndanë mjete të veçanta nga shteti për realizimin e atyre studimeve. Në këtë rast mësimdhënësit ishin në vrap nga njëra anë në tjetrën– thotë ish ministëri i Arsimit Nenad Novkovski.
Zgjidhja përfundimtare sipas Novkovskit mund të jenë studimet e disperzuara që korrespondojnë me nevojat e rajonit përkatës. Profesori universitar, Hasan Jashari madje vlerëson se studimet u disperzuan më shumë për poena politike, se sa për të rritur cilësinë në arsimin e lartë.
Nëse zotohemi për atë se duhet të ketë kualitet në arsimin sipëror, atëherë duhet të përmbushen një numër i madh i standardeve: kushtet e punës, kualiteti i kuadrit i cili duhet të angazhohet në mësimdhënie dhe numri i studentëve të cilët duhet të regjistrohen. Fatkeqësisht këta parakushte, këta standard kanë qenë të limituara dhe në një farë forme universitetet kanë shkuar sipas vendimeve politike, që liderët e tyre politik të fitojnë pikë– tha profesori universitar Hasan Jashari.
Ministria e Arsimit anuloi studimet e disperzuara të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” pas kërkesës së universitetit, që përkoi me qëndrimin e Qeverisë dhe vëzhgimet për cilësinë dhe nevojën për studime të disperzuara.
Pas kërkesës së Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” nga Shkupi, e cila përkoi me qëndrimin e Qeverisë dhe vëzhgimet për cilësinë dhe nevojën për studime të disperzuara të caktuara, u soll vendimi për anulimin e të gjitha studimeve të disperzuara në këtë institucion të lartë arsimor- bëjnë me dije nga Ministria e Arsimit.
Nuk dihet nëse një fat të tillë do të kenë edhe programet e Universitetit të Tetovës të disperzuara në Shkup, Kumanovë, Kërçovë, Dibër dhe Strugë, disa prej të cilave janë pezulluar përshkak të numrit të ulët të studentëve. Zëdhënësi i UT-së Selam Sulejmani për Alsat tha se ende nuk kanë marrë ndonjë shkresë nga Ministria e Arsimit në lidhje me mbylljen apo hapjen e studimeve të disperzuara. Sulejmani madje shtoi se vetë universiteti deri tani ka mbyllur studimet që ishin jo-efikase.
Anesa Aliti

