Gjermania po përgatitet shumë seriozisht për mbrojtje nga sulmet me dronë dhe për mbrojtje nga lufta kibernetike. Ministri Dobrint ka parashikuar edhe masa konkrete.
Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Alexander Dobrindt, synon të ndërmarrë masa më të forta kundër akteve të sabotimit që i atribuohen Rusisë. Sipas gazetës Bild am Sonntag (BamS), njësi të posaçme do të vendosen për të mbrojtur hapësirën ajrore mbi qytetet me rëndësi strategjike, për të neutralizuar dronët dhe për të çaktivizuar mjetet shpërthyese. Gjithashtu, qeveria planifikon ngritjen e një rrjeti digjital sigurie.
Pas atentatit të dështuar me dron ndaj aeroportit Leipzig/Halle, Dobrindt pret shtim të sulmeve hibride dhe dëshiron të forcojë mbrojtjen përmes një sistemi gjithëpërfshirës sigurie.
“Sulmet hibride të Rusisë me dronë të mbushur me eksploziv ndaj aeroporteve, kapja e agjentëve në qytetet tona, sulmet kibernetike kundër rrjeteve tona dhe sabotimi i infrastrukturës sonë janë bërë realitet i përditshëm”, deklaroi politikani i CSU-së për Bild am Sonntag. “Këto sulme do të shtohen, por ne mund të mbrohemi dhe të mbrojmë vendin tonë.”
Njësi të posaçme për mbrojtje
Sipas informacionit të gazetës, plani i sigurisë përbëhet nga disa shtylla kryesore. Njësi të reja, të gatshme për t’u dislokuar me shpejtësi, do të mbrojnë hapësirën ajrore mbi nyjet më të rëndësishme strategjike, aeroportet, stacionet hekurudhore dhe lagjen qeveritare në Berlin.
Përveç kapjes së dronëve, këto njësi do të kenë detyrë edhe çaktivizimin e bombave të vendosura në dronë dhe të mjeteve të tjera shpërthyese.
Ndër qytetet që konsiderohen strategjikisht të rëndësishme janë: Frankfurti, Mynihu, Hamburgu, Berlini, Shtutgarti, Dyseldorfi, Leipzigu, Hanoveri dhe Këlni.
Mbrojtja e infrastrukturës kritike
Në të ardhmen, mbrojtja kundër dronëve nuk do të mbështetet vetëm te Policia Federale dhe autoritetet e landeve. Edhe kompanitë që operojnë infrastrukturë kritike, si ujësjellësit, furnizuesit e energjisë dhe ndërmarrjet e industrisë së mbrojtjes, pritet të marrin kompetenca ligjore për të mos i zbuluar vetëm dronët, por edhe për t’i neutralizuar ato në mënyrë aktive.
“Mburojë” kundër sulmeve kibernetike
Përballë qindra sulmeve kibernetike të përditshme ndaj institucioneve dhe kompanive, qeveria synon të krijojë një mburojë kombëtare sigurie, të njohur si Cyberdome.
Ky sistem do të përbëhet nga një rrjet i dendur sensorësh digjitalë, të cilët do të identifikojnë dhe bllokojnë përpjekjet e hakerëve për të sulmuar rrjetet e vendit.
Në fillim të muajit gusht, në aeroportin Leipzig/Halle u zbulua një dron me eksploziv pranë avionëve ukrainas të transportit. Aeroporti konsiderohet një qendër e rëndësishme për dërgimin e ndihmave ushtarake drejt Ukrainës. Qeveria federale gjermane bëri Rusinë përgjegjëse për këtë tentativë sulmi.



