E gjithë fushata e referendumit “pro”, “kundër” ose “bojkot”, që do të zhvillohet nga deputetët dhe subjekte të tjera jashtë shtëpisë ligjdhënëse, duhet mbuluar nga Servisi Publik. Kështu mendon anëtari i Këshillit të Agjencisë për Shërbime Audio dhe Audiovizuele, Zoki Fidanovski, sipas të cilit, nuk duhet krijuar huti me interpretimin e dispozitave ligjore. Sipas tij, Ligji për referendum dhe Ligji për deputetët janë të ndërthurur në Kodin Zgjedhor, i cili qartëson mënyrën e mbulimit mediatik të fushatës, duke u dhënë mundësi të barabartë prezantimi të gjitha palëve pjesëmarrëse në fushatën për referendumin për emrin.
“Për këtë çështje ka pasur shumë debate në opinion, personalisht unë, si anëtar i këshillit të Agjencisë së Mediave, kemi qëndrim ndryshe nga ajo e KSHZ-së për arsye se Ligji për referendum i referohet Ligjit të deputetëve për realizimin e fushatës. E tani, duke marrë parasysh se Ligji i deputetëve është përfshirë në Kodin Zgjedhor, ne me automatizëm duhet të thirremi në dispozitat e rregullores zgjedhore për mbulimin mediatik, ku qëndron se të gjithë pjesëmarrësit e fushatës duhet të kenë qasje të barabartë mediatike dhe të gjithë duhet kenë shans të barabartë për t’i treguar qëndrimet e tyre”, deklaroi anëtari i këshillit të AShAAV-së, Zoki Fidanovski.
Servisi Publik, si në ciklet e kaluara zgjedhore edhe tani për referendumin, ka për detyrë të ftojë në emisione debative të gjithë aktorët e fushatës së referendumit brenda dhe jashtë Kuvendit, dhe këtu nuk duhet të kihen dilema, thotë Fidanvoski. Sipas tij, nëse dikush prej të ftuarve refuzon ftesën, faji nuk do të jetë i Servisit Publik. Fidanovski potencon edhe se kohëzgjatja e materialeve për referendumin në Servisin Publik, nuk duhet kufizuar me minutazh strikt, si nëpër mediat komerciale, por duhet monitoruar në bazë të përmbajtjes së lajmeve.
“Programi dhe të gjitha përmbajtjet informative që lidhen me çështjen e referendumit në Servisin Publik, duhet të jenë në formë të zgjeruar, gjithëpërfshirëse dhe të transmetuara në atë mënyrë që do t’u mundësojnë shikuesve të Servisit Publik në mënyrë të pavarur të marrin vendim për çështjen e referendumit”, tha anëtari i këshillit të ASHAAV-së, Zoki Fidanovski.
Servisi Publik tashmë ka miratuar rregulloren e brendshme të punës për mënyrën e informimit gjatë fushatës për referendumin, duke u kujdesur për respektimin e kodeskit etik të gazetarëve dhe informimit gjithëpërfshirës dhe të balancuar. Gjithashtu obligim i Servisit Publik është informimi në vazhdimësi i qytetarëve për teknikën dhe mënyrën e votimit. Fushata për referendum zyrtarisht fillon më 10 shtator. /tvm2/

