Shkurtohet prej pesë në tre ditë afati i shpalljes për punë, sigurohet mbrojtje më e madhe për punëtorët e angazhuar në kohë të caktuar, rritet paga e punëtorit që kryen stazhin, si dhe rritet mbështetja për ushqim dhe transport gjatë punës së natës
Ndryshimet e Ligjit për marrëdhënie pune, që gjenden në procedurë parlamentare, pritet të përmirësojnë më tej statusin ligjor të punëtorëve në Maqedoni. Plotësimet dhe ndryshimet e Ligjit për marrëdhënie pune parashohin shkurtimin prej pesë në tre ditë të kohëzgjatjes së shpalljes për punë, mbrojtje më të madhe për punëtorët të angazhuar në kohë të caktuar, rritje prej 40 në 70 për qind e pagës së punëtorit që kryen stazhin, si dhe mbështetje më e madhe për ushqim dhe transport gjatë punës së natës, shkruan gazeta KOHA.
Pas miratimit të ndryshimeve të para të Ligjit në nëntor të vitit 2015, u imponua nevoja e saktësimit të disa dispozitave , me qëllim që të njëjtat të jenë të qarta gjatë zbatimit të tyre në praktikë. Gjithashtu, sipas komenteve të Komitetit të Këshillit të Evropës për zbatimin e neneve të ratifikuara nga Karta sociale evropiane, disa dispozita ligjore nuk janë në harmonizim me këtë dokument evropian.
Njëherazi, ndryshimet bazohen edhe në Informatën lidhur me masat për përmirësimin e ambientit afarist të përgatitur nga “Duing Biznis 2018” i Bankës Botërore, e cila kërkon që, në vend të pesë ditëve, “hapja e firmës” të zvogëlohet në tre ditë afat, pasi vetëm kështu përmirësohet renditja e Maqedonisë në listën e vendeve të suksesshme ekonomike të Bankës Botërore.
“Me uljen e kohëzgjatjes në tre ditë, do të përmirësohet edhe renditja e shtetit në raportin për ambientin e biznesin në Maqedoni”, thotë Informata e “Duing Biznis 2018”. Me ndryshimet ligjore do të zgjerohet edhe ndalesa e diskriminimit për të punësuarit me kohë të caktuar, jo vetëm në të drejtat, por edhe obligimet që dalin nga marrëdhënia e punës. Neni 4 parashikon edhe përmbajtjen obliguese të marrëveshjes së punës, me çka punëtorët me nënshkrimin e marrëveshjes, do të dinë saktësisht se cilat janë të drejtat dhe obligimet e tyre. Njëherazi, me nenin 6 saktësohen shkaqet kur punëdhënësi duhet të paralajmërojë punëtorin në procedurën për anulimin e marrëveshjes për punësim.
Me nenin 14 parashikohet rritje e përqindjes së pagës së punëtorit që kryen stazhin prej 40 në 70 për qind. Pushim të njëjtë vjetor do të shfrytëzojnë punëtorët që punojnë gjashtë ditë në javë me ato që punojnë pesë ditë në javë. Me nenin 2 përcaktohet mbrojtje shtesë për fëmijët nën 15 vjet, që mund të punojë 2 orë në ditë apo 12 orë në javë, ndërsa gjatë pushimit veror – jo më gjatë se 6 orë në ditë apo 30 orë në javë. Njëherazi, fëmijëve nën 15 vjeç duhet ti sigurohen dy javë pushim të pandërprerë.
Me nenin 9 saktësohet neni 88, që përcakton afatet minimale për lëshim nga puna. Në rast të anulimit të marrëveshjes për punësim nga ana e punëtorit, afati i largimit nga puna është një muaj, por vetëm në rast të paralajmërimit me shkrim dhe nëse nuk shkaktohet ndonjë dëm lidhur me pagesën e pagës së zvogëluar për së paku tre muaj, si dhe mossigurimin e mbrojtjes në punë nëse punëtori ka kërkuar diçka të tillë. Me nenin 12 ndryshohet neni 97, që përcakton pagesën e totalit të pagave të fundit në rast të largimit nga puna e që rritet nga 12.5 në 25 për qind në varësi prej viteve të kaluara në marrëdhënie pune.
Me plotësimin e nenit 128 saktësohet kuptimi i termit “ushqim adekuat” për punëtorin që punon natën, përmes përcaktimit të kompensimit për koston e ushqimit në lartësi prej 20 për qind të pagës mesatare neto të paguar në Maqedoni në vitin paraprak, dhe atë vetëm për ditët kur punëtori punon natën. Njëherazi saktësohet se punëtori nuk mund të përcaktohet të punojë natën nëse mungon transporti publik, ndërsa punëdhënësi nuk siguron kushte për transport nga shtëpia deri në punë dhe anasjelltas. (koha.mk)